Shyqiri Bytyqi, Ministër i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë. Foto: Kallxo.com

Bytyqi shkarkon anëtarët e Këshillit Drejtues që i emëroi sa ishte në Nisma

Ministri në detyrë i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, pak ditë pasi u largua nga ish-partia e tij Nisma Socialdemokrate dhe pasi zyrtarizoi kalimin e tij në Partinë Socialdemokrate, ka shkarkuar dy anëtarë të Këshillit Drejtues të Universitetit të Gjilanit “Kadri Zeka”, që i kishte emëruar në dhjetor.

Në bazë të vendimit që e ka siguruar KALLXO.com, Bytyqi i ka liruar nga detyra kryesuesin e Këshillit Drejtues, Emrush Thaçin dhe anëtarin Artan Haziri më 30 gusht. Megjithatë në vendimin e Bytyqit nuk janë treguar arsyet e vendimit.

KALLXO.com ka provuar të kontaktojë me të lartpërmendurit por deri nuk kanë qenë të qasshëm deri në momentin e publikimit të artikullit.

Menjëherë pas këtij vendimi, ai e ka marrë vendimin tjetër që t’a plotësojë këtë këshill me dy anëtarë tjerë, Ibrahim Kosumin dhe Violeta Abazi-Huruglica.

KALLXO.com ka kontaktuar këshilltarin politik të ministrit në detyrë, Shyqiri Bytyqit, Baton Dushi, i cili tha se largimi i tyre ka ardhur për shkak të mos raportimit të tyre tek ministri.

“Nuk janë shkarkuar por janë liruar nga detyra, arsyeje s’ka pasur por nuk i kanë raportu ministrit”, tha Dushi.

Bytyqi ka dhënë dorëheqje nga Nisma Socialdemokrate më 26 gusht, duke thënë se se dikasteri që ai e udhëheq ka qenë i kapur politikisht dhe nuk ka pasur hapësirë për marrjen e iniciativave. Pas kësaj me 3 gusht Bytyqi doli në partinë e Shpend Ahmetit, PSD

Ministri Bytyqi edhe atë kohë emërimet e këtyre dy anëtarëve i kishte bërë me vonësë, pasi që universiteti qysh nga fillimi i vitit akademik 2018/2019 nuk e kishin funksional këtë këshill.

Kurse, KALLXO.com kishte raportuar se Emrush Thaçi ishte i akuzuar nga Prokuroria e Shtetit lidhur me arratisjen e ish-kryetarit të Skenderajt, Sami Lushtaku, gjatë kohës sa po qëndronte i shtrirë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës – QKUK.

Ndërsa, Këshilli Drejtues është organi kryesor qeverisës i universiteteve. Ai ka përgjegjësi të përgjithshme strategjike për funksionimin efektiv institucional të Universitetit dhe është përgjegjës për të gjitha vendimet në lidhje me çështjet financiare (buxheti, personeli, infrastruktura), në mënyrë që të sigurojë kushte të përshtatshme për veprimtarinë e qëndrueshme të Universitetit në përputhje me obligimet e tij.

 

.https://kallxo.com/lajm/ministria-e-arsimit-emeron-anetaret-e-keshillit-drejtues-per-dy-universitete-publike-minuten-e-fundit/?fbclid=IwAR0TRr945YU4HzXqf5CihbsTywzzzNdy9tzTulqeHh6xw8GWK3-SZU7ZVRQ