Foto: KALLXO.com.

Nënshkruhet marrëveshje mes Universitetit të Iowa-s dhe tri universiteteve publike të Kosovës

Universiteti i Iowa-s (Ajova) nga SHBA dhe tri universitete publike në Kosovës kanë nënshkruar sot një marrëveshje mirëkuptimi e cila mundëson një partneritet në mes të sektorit privat për forcimin e arsimit të latë.

Nënshkrimi i marrëveshjes është përshëndetur edhe nga kryeministri Albin Kurti dhe ambasadori i SHBA-së, Jeffrey Hovenier.

Kjo marrëveshje është mbështetur nga USAID-i dhe synim ka mbështetjen e aktiviteteve, zhvillimin e qasjeve të mësimnxënies së orientuar nga tregu dhe përvoja në sektorët e Teknologjisë së Informimit dhe Komunikacionit (TIK) dhe bujqësisë në Kosovës.

Kryeministri Albin Kurti tha se gjatë fjalës së tij kjo marrëveshje do t`u mundësojë studentëve që të përgatiten për karrierën e tyre në shumë fusha sektoriale.

“Pjesa qendrore e këtij projekti ka të bëjë më bashkëpunimin në fusha të tregut të punës, andaj një bashkëpunim i tillë do të promovon inovacionin dhe rritjen ekonomike”- tha ndër të tjera Kurti.

Ambasadori i SHBA-së, Jeffrey Hovenier tha se kjo është një marrëveshje historike pasi do të mundësojë të rinjve kosovarë të marrin njohuritë e nevojshme për tregun e punës.

“Pajisja e qytetarëve në Kosovë me shkathtësi të nevojshme është ndër prioritetet e Ambasadës amerikane. Ky bashkëpunim është prioritet për të gjithë, pasi shkathtësitë e duhura për punë janë të nevojshme për të siguruar punësim të garantuar”- tha Hovenier.

Ndërkaq, Russ Ganim, nga Universitetit i Iowa-s pohoi se kjo marrëveshje ka për qëllim të forcojë partneritetet ndërmjet sektorit privat dhe institucioneve akademike, si dhe të mbështesë zhvillimin e qasjeve të mësimnxënies dhe përvojat në sektorët e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit dhe Bujqësisë në Kosovë.

“Ne do të punojmë së bashku që t’i lidhim studentët me njohuri për industri dhe besojmë që nga ky bashkëpunim do të përfitojnë të gjithë”- tha ai.

Marrëveshja u nënshkrua nga Ganim, si përfaqësues i Universitetit të Iowa-s dhe tre rektorëve të universiteteve publike të Kosovës; Universitetit, “Haxhi Zeka” në Pejë, Universiteti “Ukshin Hoti” në Prizren dhe Universiteti “Hasan Prishtina” në Prishtinë.

Foto: KALLXO.com.
Foto: KALLXO.com.