Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Propozimi i ri për paga - paga e një dekani më e lartë se e një mjeku specialist

Dekani i një fakulteti në universitetet publike të Kosovës, sipas projektligjit të ri për paga, pritet të ketë pagën më të lartë se një zv/ministër e një mjek specialist.

Dekani do ta ketë koeficientin 12.8. Ky koeficient është më i lartë se i një zv/ministri që është 12 dhe të zv/drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Kosovës që është 12.6.

Dekani po ashtu e ka koeficientin e përcaktuar më shumë se të një mjeku specialist që është 10.1, një koloneli të FSK-së që është 12 dhe më të lartë se një ambasador që e ka 10.

Në projektligjin e ri për paga nuk është caktuar vlera e koeficientit.

KALLXO.com për këtë çështje ka kërkuar sqarime edhe nga ana e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike.

Deri në publikim të këtij shkrimi, kjo ministri nuk ka dhënë përgjigje për vlerën e caktuar të koeficientit por as edhe kush ka qenë në grupin punues të këtij drafti të projektligjit të ri për pagat në sektorin publik.

Projektligji nuk e përcakton vlerën e koeficientit për vitin e parë të zbatimit të këtij ligji.

Ndërsa, për vitet e tjera buxhetore, vlera monetare e koeficientit thuhet se di të përcaktohet me Ligjin për buxhetin.

Në lidhje me këtë projektligj ka reaguar ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla i cili i ka quajtur deziformata raportimet e media, pasi që sipas tij nuk ka draft final.

“As nuk ka draft final të ligjit për pagat e zyrtarëve publik e as nuk ka ndonjë vlerë të koeficientit. Vlera e koeficientit nuk do të jetë pjesë e ligjit për pagat e zyrtarëve publik, meqë e njëjta përcaktohet me ligjin e buxhetit”, ka shkruar ai në Facebook.

Më 30 qershor të vitit 2020, Gjykata Kushtetuese e Kosovës e ka shpallur të pavlefshëm Ligjin për Pagat në Sektorin Publik.

Sipas vendimit të Gjykatës, ligji nuk ishte në përputhshmëri me 11 nene të Kushtetutës së Kosovës dhe shkaktonte “çrregullim të ndarjes së pushteteve në disfavor të gjyqësorit dhe institucioneve të pavarura”.

Ky projektligj ishte dërguar në kushtetuese më 6 dhjetor të vitit 2019 nga institucioni i Avokatit të Popullit, për siç thuhej “vlerësimin e përputhshmërisë” së këtij ligji me Kushtetutën.

Gjykata Kushtetuese kishte vendosur që të pezullohet zbatimi i këtij ligji, deri më 30 mars 2020.

Me pastaj, Gjykata kishte vendosur ta vazhdojë pezullimin e Ligjit të pagave deri më 30 qershor 2020 dhe përfundimisht më 30 qershor e kishte shpallur të pavlefshëm.

Koeficienti më i lartë sipas këtij ligji ka qenë 10. Këtë koeficient e mbante vetëm presidenti i vendit, më pas është niveli i 9, ku bënin pjesë kryetari i kuvendit, kryeministri dhe kryetari i Gjykatës Kushtetuese.

Projektligji i ri koeficientët i ka deri në 20.

Projektligji i ri për paga ende nuk ka shkuar për miratim në Qeverinë e Kosovës.