SHBA - Universitetet po e ndalojnë TikTok-un në kampuset e tyre

Universitetet publike në të gjithë SHBA-në po ua ndalojnë studentëve të tyre aplikacionin shumë popullor TikTok. Në disa raste, asnjë student, anëtarë fakulteti, staf ose vizitor nuk mund të qaset në platformën e videove të shkurtëra në pajisjet e shkollës ose në rrjetet WiFi të kampusit.

Të paktën 20 universitete publike kanë marrë vendimin për ta ndaluar aplikacionin nga serverët e tyre ose u kanë rekomanduar studentëve të tyre ta heqin aplikacionin nga pajisjet e tyre personale, sipas NBC News. Shumica e universiteteve po veprojnë nën presionin e ligjvënësve shtetërorë – disa prej të cilëve kanë miratuar ligje që ndalojnë TikTok nga pajisjet shtetërore.

Pse universitetet po e ndalojnë TikTok-un

Ndalimet vijë për shkak të shqetësimeve e sigurisë në lidhje me kompaninë mëmë të aplikacionit me bazë në Kinë, ByteDance. Ekspertët e sigurisë amerikane janë të shqetësuar se ByteDance mund ta ndajë koleksionin e saj të gjerë të të dhënave për përdoruesit amerikanë me qeverinë kineze.

“Ne kemi shqetësime për sigurinë kombëtare”, tha drejtori i FBI-së Christopher Wray në një seancë dëgjimore të Komitetit të Sigurisë Kombëtare në muajin nëntor. “Ato përfshijnë mundësinë që qeveria kineze mund ta përdorë atë për t’a kontrolluar mbledhjen e të dhënave për miliona përdorues”.

Në të kaluarën, udhëheqësit me bazë në SHBA në drejtimin e TikTok kanë mohuar se aplikacioni është duke u ndikuar nga Pekini. “Partia Komuniste Kineze nuk ka as kontroll të drejtpërdrejtë dhe as të tërthortë të ByteDance apo TikTok”, tha kompania në një deklaratë. “ByteDance është një kompani private, globale, gati 60 për qind e së cilës është në pronësi të investitorëve institucionalë globalë, me pjesën tjetër në pronësi kryesisht nga themeluesit e kompanisë dhe punonjësit e saj – duke përfshirë mijëra amerikanë”.

(Skeptikët e SHBA-së thonë se ligjet e gjera të sigurisë së Kinës do të kërkonin që ByteDance të ndajë të dhëna me qeverinë kineze nëse kërkohet.)

Më shumë se 30 shtete i kanë shtuar përpjekjet e tyre për të kufizuar qasjen në aplikacion dhe shumë universitete publike, të cilat janë nën kompetencën e ligjeve shtetërore, po ndjekin shembullin e njëjtë. Në rastin e Texas A&M, një nga universitetet më të mëdha publike në vend me afro 75,000 studentë, TikTok është ndaluar totalisht.

Edhe llogaritë e njohura TikTok të universitetit nuk bëjnë përjashtim. Faqja e tyre TAMU Physics & Astronomy me mbi 1.5 milionë ndjekës përditësoi biografinë e saj duke shkruar, “Ne nuk postojmë më në TikTok. Shikoni në kanalin tonë të  YouTube për videot më të fundit!” Ngarkimi i tyre i fundit i videos në platformën TikTok ishte më 6 dhjetor.

Ky vendim nga universiteti i Teksasit erdhi pasi guvernatori i Teksasit Greg Abbott urdhëroi që TikTok-u të ndalohej nga të gjitha pajisjet e agjencisë shtetërore të Teksasit. Tani universitetet e tjera të mëdha publike po ndiejnë presion për ta bërë të njëjtën gjë. Universiteti i Floridës së fundmi ka deklaruar se ekziston një “mundësi e fortë” që ata gjithashtu ta vendosin një ndalim.

Përpjekjet për ta kufizuar qasjen në aplikacion në nivel federal kanë ekzistuar prej vitesh. Në vitin 2020, ish-presidenti Donald Trump kërcënoi të ndalonte aplikacionin në mbarë vendin për shkak të shqetësimeve të sigurisë kombëtare. Administrata Trump gjithashtu e nxiti Bytedance t’i shesë operacionet e saj në SHBA një kompanie me seli në SHBA. Oracle dhe ëalmart ishin ndër kërkuesit e raportuar, por asnjë marrëveshje nuk u realizua.

Si reagojnë studentët

Studentët nuk janë të lumtur. “Nuk mendoja se universitetet publike të Teksasit që ndalonin TikTok-un do të kishin aq shumë ndikim tek unë, por jam përpjekur ta hap TikTok 3 herë në 2 orët e fundit dhe ajo thjesht ka ikur”, shkroi Sidney Golden në Twitter.

Por sado që këto universitete po përpiqen ta kufizojnë qasjen e studentëve të tyre në TikTok, ata nuk do të jenë në gjendje ta eliminojnë plotësisht atë nga telefonat e tyre. Shumë përdorues ende qasen në këtë aplikacion nëpërmjet të dhënave të tyre celulare, rrjeteve personale WiFi ose VPN-ve.

TikTok është një nga aplikacionet më të njohura të mediave sociale në Amerikë—veçanërisht për Gen Z, i cili përbën pjesën më të madhe të studentëve aktualë të kolegjit. Sipas agjencisë së marketingut dixhital Wallaroo Media, aplikacioni TikTok ka rreth 80 milionë përdorues aktivë mujorë në Shtetet e Bashkuara, 60% e të cilëve janë 16 dhe 24 vjeç.

A do ta ndalojë SHBA-ja TikTok-un?

Disa kufizime në këtë aplikacion në nivel federal kanë qenë të suksesshme. Në dhjetor, Kongresi e ndaloi me sukses aplikacionin në pronësi kineze nga të gjitha pajisjet e qeverisë federale.

“Ne jemi të zhgënjyer që Kongresi po lëviz në drejtim të asaj që ta ndalojë TikTok-un në pajisjet qeveritare – një gjest politik që nuk do të bëjë asgjë për t’i avancuar interesat e sigurisë kombëtare – në vend që ta inkurajojë administratën ta përfundojë rishikimin e saj të sigurisë kombëtare”, tha Brooke Oberwetter, një zëdhënës i TikTok-ut pas miratimit të projektligjit të Kongresit.

Pyetjet mbeten nëse një ndalim federal i platformës do të binte ndesh me të drejtat e lirisë së fjalës. Ndërkohë, një projekt-ligj dypartiak në Dhomën e SHBA-së po kërkon një ndalim të plotë të aplikacionit për të gjithë përdoruesit amerikanë për shkak të shqetësimeve që Partia Komuniste e Kinës të ketë qasje në të dhënat e aplikacionit.

“Është koha për ta ndaluar përgjithmonë TikTok-in e kontrolluar nga Pekini”, ka deklaruar senatori i Floridës Marco Rubio në një deklaratë për shtyp mbi legjislacionin./Time.com

Përgatiti: Nuhi Shala