Rebelët Huthi në Jemen. FOTO-REL

Rebelët huthi të Jemenit kapin 11 punonjës të OKB-së

Njëmbëdhjetë punonjës jemenas të agjencive të Kombeve të Bashkuara janë kapur nga rebelët huthi të Jemenit në rrethana të paqarta, thanë autoritetet të premten (07.06.2024), ndërsa rebelët përballen me presion financiar në rritje dhe sulme ajrore nga një koalicion i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara. Ka të ngjarë që të jenë rrëmbyer edhe persona të tjerë që punojnë për organizatat e ndihmave.

Arrestimet vijnë pasi huthitë, të cilët morën kryeqytetin e Jemenit gati një dekadë më parë dhe kanë luftuar më pas kundër një koalicioni të udhëhequr nga Arabia Saudite, kanë sulmuar transportin detar në të gjithë korridorin e Detit të Kuq, për shkak të luftës Izrael-Hamas në Rripin e Gazës.

Por ndërkohë që ka fituar më shumë vëmendje ndërkombëtarisht, grupi për të cilin nuk dihet shumë, ka shtypur disidencën brenda vendit, duke dënuar madje rishtazi edhe 44 persona me vdekje.

Zyrtarët rajonalë, duke folur për agjencinë e lajmeve Associated Press në kushte anonimiteti, fillimisht konfirmuan të paktën nëntë punonjës të OKB-së që janë rrëmbyer. Ndër të ndaluarit janë punonjës të agjencisë së OKB-së për të drejtat e njeriut, programit të saj të zhvillimit, Programit Botëror të Ushqimit dhe një punonjës i zyrës së të dërguarit të saj të posaçëm, thanë zyrtarët. E ndaluar është edhe bashkëshortja e njërit prej punonjësve.

Të premten mbrëma në Nju Jork, zëdhënësi i OKB-së, Stéphane Dujarric pranoi se ishin rrëmbyer 11 punonjës të OKB-së.

“Jemi shumë të shqetësuar për këto zhvillime dhe po kërkojmë në mënyrë aktive sqarime nga autoritetet de facto huthi në lidhje me rrethanat e këtyre ndalimeve dhe më e rëndësishmja, për të siguruar qasjen e menjëhershme tek personeli i OKB-së”, u tha ai gazetarëve. “Kështu që mund t’ju them se po ndjekim të gjitha kanalet e disponueshme për të siguruar lirimin e sigurt dhe të pakushtëzuar të të gjithëve, sa më shpejt që të jetë e mundur”.

Ish-punonjësit e ambasadës amerikane në Sanaa, e cila u mbyll në vitin 2015, gjithashtu janë arrestuar dhe mbahen nga rebelët huthi.

Organizata “Mayyun” për të Drejtat e Njeriut, e cila gjithashtu identifikoi punonjësit e OKB-së që janë ndaluar, përmendi edhe organizata të tjera ndihmash, punonjësit e të cilave u arrestuan nga huthitë në katër provincat që kanë nën kontroll: Amran, Hodeida, Saada dhe Saana.

“E dënojmë ashpër këtë përshkallëzim të rrezikshëm, i cili përbën shkelje të privilegjeve dhe imuniteteve të punonjësve të Kombeve të Bashkuara, të dhëna sipas ligjit ndërkombëtar, dhe i konsiderojmë si praktika shtypëse, totalitare, shantazhuese për të marrë përfitime politike dhe ekonomike”, thuhet në një deklaratë të organizatës.

Shumë nga organizatat e përmendura nuk i konfirmuan menjëherë ndalimet.

Organizata “Save the Children”, i tha agjencisë së lajmeve AP se janë “të shqetësuar për vendndodhjen e një prej anëtarëve të stafit tonë në Jemen dhe po bëjmë gjithçka që mundemi për të garantuar sigurinë dhe mirëqenien e tij”. Organizata nuk pranoi të jepte hollësi të mëtejshme.

Aktivistët, juristët dhe profesionistë të tjerë hartuan një letër të hapur në internet, duke u bërë thirrje huthive të lirojnë menjëherë të arrestuarit, sepse nëse nuk e bëjnë, kjo “ndihmon për izolimin e vendit nga bota”.

Organizata “Human Rights Watch”, duke cituar të afërm të të arrestuarve, tha se “autoritetet huthi nuk kanë zbuluar vendndodhjet e njerëzve që arrestuan, ose nuk i kanë lejuar të komunikojnë me punëdhënësit dhe familjet e tyre”.

“Huthitë duhet të lirojnë menjëherë çdo punonjës të OKB-së dhe të organizmave të tjera të pavarura që ata kanë ndaluar për shkak të punës së tyre për të drejtat e njeriut dhe punës humanitare dhe të ndalin arrestimin arbitrar dhe zhdukjen e njerëzve me forcë”, tha studiuesi i “Human Rights Watch”, Niku Jafarnia.

Rebelët huthi të Jemenit dhe enitetet mediatike të lidhura me ta nuk kanë folur për ndalimet.

Huthitë kanë arrestuar më parë katër punonjës të tjerë të OKB-së, dy në vitin 2021 dhe dy të tjerë në vitin 2023, të cilët ende mbahen nga ky grupim. Agjencia e OKB-së për të drejtat e njeriut në vitin 2023 i quajti këto ndalime një “situatë thellësisht alarmante pasi zbulon një shpërfillje të plotë për sundimin e ligjit”./VoA