Arkiv - Mimoza Kusari Lila në #DebatPernime. Foto: Atdhe Mulla

Reagon Mimoza Kusari Lila pas ngritjes së aktakuzës për faljen e Hidrocentraleve

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj 19 personave për akuzën për faljen e katër hidrocentraleve gjatë privatizimit të rrjetit të distribuimit të KEK-ut proces ky i zhvilluar gjatë ‘Qeverisë Thaçi 2’.  Katër hidrocentrale ishin përfshirë në shtije të distribucionit pa qenë pjesë e kësaj shitjeje.

Një nga të akuzuarit në këtë rast është edhe kryetarja e Alternativës, deputete e grupit parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari Lila. Në atë kohë, Kusari Lila kishte qenë ministre e Tregtisë dhe pjesë e komitetit ndërministror që kishte monitoruar procesin e privatizimit të KEK-ut.

Në një bisedë për KALLXO.com, Kusari Lila thotë se s’kanë qenë të vetëdijshëm dhe s’ka pasur asnjë motiv.

“Unë edhe në intervistë në Prokurori kam treguar se përderisa s’kemi qenë të vetëdijshëm edhe s’ka pasë motiv, megjithatë të tjerët mbesin në Gjykatë”, tha Kusari Lila për KALLXO.com

Ajo shton se nuk do të jep dorëheqje nga pozita e deputetes pa pasur një vendim final në Gjykatë.

“Sa i përket karrierës politike, deri në shpalljet e aktvendimin final nga Gjykata, mbetem, unë nuk kam detyrë ekzekutive. Është një përparësi që mos t’i bëhem barrë askujt me ngarkesat ligjore që tash duhet me u ballafaqu”, tha tutje ajo.

Kusari Lila thotë si pjesë e komitetit ndërministror, ata kanë pasur detyrë vetëm për të parë mbarëvajtjen e procesit, ndërsa kanë qenë filtra të tjerë që janë marrë me detajet e privatizimit.

“Është neni i kushtetuës 96, që i përcakton mbrojtjen në detyrë zyrtare, përderisa nuk je i vetëdijshëm. Nuk kemi qenë vetëm ne në komitet ndërministror që kemi marrë vendim. Kanë qenë disa filtra deri sa ka ardhë vendimi dhe materiali komplet për privatizim. Ne kemi qenë të thirru me detyrë zyrtare në komunitet dhe detyra jonë ka qenë me i siguru që afatet po shkojnë sipas kohës së paraparë. Në çdo takim ka pasë incizim zyrtar. Asnjë veprim i jashtëligjshëm, nuk ka ndodhë me vetëdijen tonë aty”, tha për KALLXO.com, Kusari Lila.

Tutje, ajo thotë se në asnjë takim të komitetit ndërministror nuk është trajtuar përfshirja e 4 hidrocentraleve.

“As edhe njëherë në takimet e komitetit për privatizim të KEDS-it nuk është trajtuar përfshirja e 4 mini-hidrocentrale në pakon e distribucionit”, thotë deputetja Kusari Lila.

“Ma merr mendja që njësia e implementimit të projektit, këshilltarët e transaksionit, që kanë qenë të përfshirë në baza ditore me procesin, është dashtë shumë ma qartë dhe më vëmendje të veçantë të trajtohen temat që kanë pasur të bëjnë me procesin”, shtoi Kusari Lila.

Në aktakuzë janë të përfshirë edhe ish ministrat, Besim Beqaj, Dardan Gashi, Nenad Rashiq e të tjerë.

Aktakuzë për ish-ministrat e ‘Qeverisë Thaçi 2’ për faljen e Hidrocentraleve

.