Foto: Denis Sllovinja / Termocentral , Obiliq , Kek

Reagon KEK-u: KEDS dhe KESCO po na fajësojnë neve për përgjegjësitë e veta

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), ka reaguar ndaj kompanive KEDS dhe KESCO, duke thënë se këto kompani po fajësojnë KEK-un për përgjegjësitë që i takojnë atyre.

Sot KEDS dhe KESCO thanë se janë duke importuar mbi 1 milionë euro energji elektrike në ditë, si pasojë e rritjes së konsumit dhe prodhimit jo të mjaftueshëm të energjisë në vend, duke thënë se KEK është duke prodhuar minus 120 megavat në orë.

Përmes një komunikate për media, KEK ka thënë se sipas marrëveshjes obligimi i KEK-ut është vetëm prodhimi i energjisë elektrike, ndërsa obligimi i KESCO është furnizimi i konsumatorëve me energji elektrike.

“Andaj, konsiderojmë se adresimi i KESCO dhe KEDS përmes mjeteve të informimit përveç se nuk ka pasqyruar gjendjen reale, ka shkaktuar edhe huti në opinion” – thuhet në reagim.

Sipas reagimit, KEK ka thënë se është duke në vazhdimësi dhe me përkushtim është duke bërë përpjekje për të përmbushur planin e prodhimin.

“Në rrethana të tilla vazhdimisht i mbajmë të informuar palët përkatëse për çdo ndryshim që identifikohet gjatë operimit me njësitë gjeneruese. Kjo për arsye se është në interesin e KEK-ut që përveç kontributit në sigurinë e furnizimit me energji elektrike, gjithashtu edhe në sigurimin e të hyrave nga shitja e energjisë elektrike për të përmbushur buxhetin e planifikuar” – thuhet në fund të reagimit.

Përmes një komunikate për media, KEDS dhe KESCO kanë thënë se për sasinë e munguar në mes të prodhimit dhe kërkesës, po detyrohen që të importojnë mbi 7,500 megavat brenda 24 orëve apo deri në 400 megavat në orë.

KEDS dhe KESCO po importojnë energji elektrike mbi 1 milion euro në ditë