Rasti i vrasjes në tentativë tek 'Bregu i Diellit', Prokuroria jep detaje për motivin

Një incident me të shtëna me armë zjarri që kishte ndodhur më 13.06.2024, në rrugën “Xheladin Hana” në lagjen “Bregu i Diellit” në Prishtinë është kualifikuar nga Prokuroria e Prishtinës si vrasje në tenativë, e të dyshuarit me inicialet H. V. i është caktuar masa e paraburgimit.

Rasti kishte ndodhur rreth orës 21:20.

Gjykata e Prishtinës përmes një komunikate ka njoftuar se i dyshuari ka qenë në arrati që nga nata kritike 13.06.2024 deri më 18.06.2024 kur është arrestuar nga Policia, e për këtë ekziston rreziku se i dyshuari mund të ikë dhe t’i shmanget përgjegjësisë së tij penale.

Masa e paraburgimit është caktuar në afat kohor prej 30 ditësh.

Me lënien në liri të dyshuarit, Gjykata ka vlersuar se i njejti mund të ndikojë në rrjedhën normale të procedurës penale.

Ndaj të dyshuarit rëndojnë tri vepra penale; ajo e vrasjes në tentativë, shkaktim i rrezikut të përgjithshëm dhe armëmbajtje pa leje.

Motivi i rastit sipas Prokurorisë

Sipas njoftimit, motivi i këtij rasti janë mosmarrëveshjet e ndodhura më parë me persona ende të panjohur dhe me qëllim të hakmarrjes.

I dyshuari, sipas Prokurorisë kishte tentuar t’i privojë personat që jetonin me qera në në rrugën “Xheladin Hana” dhe me atë rast me dashje e kishte vënë në rrezik jetën e një ose më shumë personave të tjerë, duke shkuar prapa banesës në fjalë dhe nga aty kishte shkrepë rafalë me armë zjarri disa herë në drejtim të kësaj banese.

Gjithnjë sipas prokurorisë, gjatë të shtënave plumbat kishin goditur edhe një banesë tjetër dhe pastaj i dyshuari  ishte ikë nga vendi i ngjarjes duke qëndruar në arrati, derisa Policia e kishte arrestuar më 18.06.2024.

Zëdhënësi i Policisë, Agron Borovci kishte thënë se në vendin e ngjarjes janë gjetur gëzhoja të plumbave dhe se hetimet po vazhdojnë për identifikimin e të dyshuarve.

Në vendin e ngjarjes para pak minutave kishte arritur edhe kryeprokurori i Prokurorisë së Prishtinës, Zejnullah Gashi.