Seanca e gjykimit në rastin e 400 kilogramëve kokainë, Foto: KALLXO.com

Rasti i 400 kilogramëve kokainë, avokatët kërkojnë nga trupi gjykues ndërrimin e masës ndaj dy të akuzuarve

Në Gjykatën e Prishtinës ka vazhduar gjykimi i Izet Sheqirit, Kadri Sheqirit, Faton Vrajollit, Kadri Brahimit dhe Fehmi Bytyçit, për rastin e 400 kilogramëve kokainë që ishin gjetur në oborrin e kompanisë “MC Food” në hyrje të Lipjanit në vitin 2021.

Në seancën e së premtes, më 07.06.2024, avokati Besnik Berisha, mbrojtësi i të akuzuarit Izet Sheqiri, pati një kërkesë ndaj trupit gjykues. Ai kërkoi nga trupi gjykues që Izet Sheqirit t’i ndërrohet masa e paraburgimit dhe gjykata të ofrojë një masë alternative.

Po ashtu edhe avokatja e Faton Vrajollit, Nora Grajçevci, i mbështeti fjalët e avokatit Besnik Berisha dhe kërkoi të njëjtën gjë për të mbrojturin e saj mirëpo trupi gjykues i kryesuar nga Musa Konxheli dhe me anëtarët Valbona Musliu-Selimaj dhe Valon Kurtaj, e refuzoi këtë kërkesë.

Në seancën e 07.06.2024, po ashtu ka vazhduar dëshminë dëshmitarja Mimoza Haxha, e cila në kompaninë “MC Food” kishte mbajtur pozitën e asistentes në Departamentin për Import. Kujtojmë se ajo e kishte filluar dëshminë në seancën e datës 27.03.2024.

Në fillim të seancës gjyqësore dëshmitarja Mimoza Haxhiu u përball me një pyetje nga ana e avokatit Besnik Berisha, i cili është mbrojtësi i Izet Sheqirit mirëpo kjo pyetje u kundërshtua nga ana e prokurorit Valdet Gashi dhe trupi gjykues kërkoi riformulim të pyetjes nga avokati Besnik Berisha ose të vazhdojë me pyetje të tjera pasi që pyetjet orientuese ndalohen.

Gjatë marrjes në pyetje të dëshmitares Mimoza Haxha nga ana e avokatit Besnik Berisha, ajo rrëfeu se MCS kishte pasur disa kontakte me të dhe kishin diskutuar për arritjen e mallit po ashtu kishin diskutuar edhe për faktin se kush është përgjegjës në cilin destinacion.

Një pyetje tjetër e parashtruar nga avokati Besnik Berisha kishte të bënte me atë se a kishte pasur edhe mospajtime lidhur me pagesën e shpenzimeve për inspektim të kontinierëve përveç atyre në portin hetues.

“Po, këtë email e kam parë sa i përket mospajtimit nuk e di a është fjala adekuate që mund të përdoret ndoshta më shumë diskutim” – rrëfeu dëshmitarja Mimoza Haxhiu gjatë seancës.

Prokurori Valdet Gashi deklaroi se dëshmitarja edhe përkundër faktit se dha përgjigjen se nuk i kujtohet çështja e mospajtimit, avokati Besnik Berisha duke u thirrur në sqarim të çështjes e dha përgjigjen lidhur me pyetjen të cilën e parashtroi andaj kërkoi nga trupi gjykues që t’i tërhiqet vërejtja avokatit edhe në këtë drejtim, i njëjti të bëj pyetje pa përgjigje.

Lidhur me këtë avokati Besnik Berisha kishte diçka për të thënë.

“Kërkoj trajtim në mënyrë të barabartë në zbatim të ligjit dhe të drejtave të cilat na i jep ligji pa favore dhe diskrimin qoftë me qëllim apo pa qëllim” – tha avokati Besnik Berisha.

“Unë e kuptoj prokurorin pse secilën pyetje po refuzon sepse saçi i të vërtetës po e mundon” – tha avokati Besnik Berisha.

Gjatë dëshmisë së saj dëshmitarja rrëfeu se në momentin që ka arritur kontinieri në portin e Durrësit, procedura është që të vazhdohet me pagesë, pas kësaj i dërgohet konfirmimi i pagesës te furnitori.

“Në çdo rast që na drejtohet sa i përket inspektimit, shpenzimet duhet t’i marrë përsipër furnitori dhe jo ne” – tha dëshmitarja Mimoza Haxhiu gjatë seancës së sotme.

Dëshminë e saj, dëshmitarja do ta vazhdojë në seancën e radhës më 20.06.2024 në Departamentin Special të Gjykatës së Prishtinës.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit përmes bashkëpunimit me persona nga shteti i Brazilit duke shfrytëzuar kompaninë “MC Food” kanë lidhur marrëveshje me kompaninë “SEARA” për importimin e produkteve të pulës së ngrirë, dhe në brendi të pakove është vendosur substancë narkotike.

Kjo substancë e llojit kokainë u gjet më 17.05.2021 në sasi prej 400 kilogramësh.

Aktakuza ndaj të akuzuarve është ngritur më 14.11.2022.

Emisioni “Kallxo Përnime” ka transmetuar pamje ekskluzive të aksionit të Policisë me rastin e sekuestrimit të kësaj sasie të drogës.