Rashiq: Jam skeptik për peticionin në veri, nuk ka vullnet pozitiv

Ministri për Kthim dhe Komunitete, Nenad Rashiq, është shprehur skeptik për peticionin për shkarkimin e kryetarëve në veri pasi fajtor për këtë thotë se sheh Serbinë.

Rashiq në një konferencë për media ka deklaruar se nuk janë rrethanat sipas tij për këtë proces, pasi shton se nuk po sheh vullnet pozitiv as nga qytetarët në veri.

“Unë jam besimtar i demokracisë dhe kam pasë qef që të gjithë banorët serbë të veriut të marrin pjesë në zgjedhje. Nuk e shoh që kjo është e mundshme. Përkundrazi, unë e shoh se nga aspekti i pushtetit në Beograd ose kryenegociatorët e dialogut ose negociatorët, nuk e kanë për qëllim përshpejtimin e mbajtjes së zgjedhjeve, qoftë rrethanave politike, qoftë shkuarjen në marrëveshjen përfundimtare. Nuk shoh vullnet pozitiv të qytetarëve as të atyre radikalëve”.

“Sa do që munden ta shtyjnë procesin, do ta shtyjnë dhe në këtë moment nuk e shoh një vullnet pozitiv as nga qytetarët në veri. Ky është fakt i keq, ndoshta por është fakt. Në këtë moment jam skeptik për mbajtjen e zgjedhjeve në veri, por nuk do të thotë që kjo nuk do të ndryshohet” – ka thënë Rashiq.

Së fundmi është hartuar edhe udhëzimi administrativ që lejon shkarkimin e kryetarëve me anë të peticionit nga qytetarët.

Ky udhëzim administrative është hartuar nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal.

Sipas Ligjit për vetëqeverisje lokale, në zgjedhje të parakohshme për kryetar të komunës mund të shkohet në rast se kryetari aktual jep dorëheqje; në rast se qytetarët kërkojnë shkarkimin e kryetarit të komunës përmes një peticioni të nënshkruar nga 20 për qind e votuesve të komunës përkatëse; si dhe në rast se kryetari i komunës nuk paraqitet në vendin e punës më shumë se një muaj, pa arsye.