Operacioni i arrestimit të mjekut të dyshuar për marrje ryshfeti nga një pacient - veteran i UÇK-së

Një mjek i Klinikës së Ortopedisë në QKUK është arrestuar nën dyshimin se ka marrë ryshfet nga një pacient.

Një personi, i cili ishte plagosur në luftën e fundit të Kosovës, pasi copëza të një granate i kishin hyrë në njërën këmbë, para disa ditëve iu kërkua të jepte para në këmbim të kartelës së invalidit.

Qytetari nga rajoni i Gjilanit në KALLXO.com ka raportuar se i është kërkuar një shumë prej 300 euro për të kryer një ekspertizë mjekësore në QKUK.

Doktori, siç pretendonte viktima, ishte pjesë e komisionit për vlerësimin e shkallës së invaliditetit.

Bashkë me ankesë qytetari  ka bashkëngjitur një vendim të gjykatës në të cilin shkruhet se shpenzimet për këtë ekspertizë duhet t’i kryejë gjykata meqenëse është lëshuar urdhëresa.

Në QKUK nuk mund të kryesh pagesa të gatshme me shuma kaq të mëdha pasi vlera të tilla duhet të kryhen në konto bankare.

Pas marrjes së informacionit KALLXO.com kishte kontaktuar Prokurorinë e Prishtinës dhe kishte raportuar rastin e veteranit, ndërsa pak kohë u desh që të krijohej edhe ekipi hetimor që do merrej me rastin.

Në emisionin ‘Kallxo Përnime’ po shfaqen pamjet e aksionit të Policisë për arrestimin e mjekut të Klinikës së Ortopedisë në QKUK, me inicialet S.S.

Policia bashkë me dëshmitarin kishin shkuar në QKUK për t’i dorëzuar këto para, ku më pas kishte ardhur edhe deri tek arrestimi i mjekut.

Pas ndërhyrjes së Policisë, doktori ishte munduar të sqarojë se një gjë e tillë nuk është e kundërligjshme dhe pranoi se kishte kërkuar para nga veterani i UÇK-së.

Rasti është bartur te Prokuroria e Prishtinës, ku hetimi po udhëhiqet nga Shkëlzen Ibrahimi  i cili po ashtu ka marrë në dorë edhe intervistimin e dëshmitarit.

I gjithë hetimi dhe arrestimi u bë pas raportimit të KALLXO.com.