Ligji i ri, punësimet bëhen me tenderë

Prokurimi, një prej sektorëve më të ndjeshëm ndaj korrupsionit, po proklamohet si zgjidhje për punësimet me kontrata mbi vepër. Nga 2 mijë deri në 4 mijë persona në vit janë punësuar me kontrata mbi vepër në kundërshtim me ligjin, pa konkurse ose për pozita të rregullta. Kjo praktikë tashmë ka marrë fund, ndërsa punësimet e ekspertëve do të bëhen përmes Ligjit të Prokurimit me kontrata për shërbime që mund të jetë me kohëzgjatje deri në 36 muaj.

Deri më tani punësimet e “ekspertëve” janë bërë në bazë të ligjit për Shërbyesit Civil, i cili tashmë është shfuqizuar.

“Emërimet me afat të caktuar për një periudhë më të shkurtër se gjashtë (6) muaj do të bëhen në bazë të kontratave të quajtura “Marrëveshje për shërbime të veçanta” të cilat i nënshtrohen Ligjit për Detyrimet dhe për të cilat zbatohet një procedurë e thjeshtësuar e rekrutimit”, thuhet në nenin 12 të Ligjit për Shërbimin Civil.

Ligji për Zyrtarë Publikë ka paraparë që punësimet e ekspertëve të bëhen me tender.

“Marrëveshjet për shërbime të veçanta, sipas paragrafit 4 të nenit 12 të Ligjit të Shërbimit Civil nr. 03/L-149 të Republikës së Kosovës, të lidhura para hyrjes në fuqi të këtij ligji, janë të vlefshme deri në afatin e përcaktuar në ato marrëveshje në pajtim me dispozitat e lartcekura. Pas kësaj periudhe, marrëveshjet për shërbimet e veçanta lidhen sipas legjislacionit përkatës të prokurimit publik”, thuhet në nenin 84 të Ligjit për Zyrtarë Publik që flet për ‘marrëveshjet për shërbime të veçanta’.

Pas hyrjes në fuqi të ligjit të ri, Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik ka hartuar rregullat për prokurim të shërbimeve të veçanta të cilat kanë hyrë në fuqi më 22 shtator 2020. Edhe pse rregullorja ka hyrë në fuqi në shtator, asaj nuk kanë mundur t’i referohen institucionet për punësim të stafit me marrëveshje për shërbime të veçanta deri më 18 nëntor 2020, për shkak të problematikave që kanë dalë me paragrafin 3 të nenit 3 të rregullores.

Në paragrafin 3 ishte kërkuar që personat fizik të cilët aplikojnë duhet të pajisen me numra fiskal. Sipas ATK-së nëse të gjithë personat që aplikojnë për punë përmes marrëveshjeve për shërbime të veçanta pajisen me numra fiskal, atëherë në fund sistemi i ATK-së do të ngarkohet me shumë numra fiskal të cilët do të mbesin fiktiv, për shkak se të gjithë nuk do të punësohen.

Si zgjidhje për këtë është zgjedhur që të gjithë personat që dëshirojnë të aplikojnë mund ta bëjnë atë përmes regjistrimit në platformën e-prokurimi si EO-person fizik. Kështu më pas, vetëm personat që pranohen në punë do të pajisen me numra fiskal nga ATK.

“Për shërbime konsulente individuale mund të ofertojnë vetëm personat fizik nga të cilët nuk kërkohet që të kenë biznes të regjistruar por personi fizik duhet të regjistrohet në platformë të prokurimit elektronik si EO – person fizik”, thuhet në paragrafin 3 të nenit 3 të Rregullores së re e cila e ka shfuqizuar rregulloren e 22 shtatorit dhe ka hyrë në fuqi më 18 nëntor.

Si do të bëhet punësimi për shërbime të veçanta?

Rregullat e hartuara nga KRPP aplikohen vetëm për prokurimin e Shërbimeve të veçanta të cilat nuk mund të sigurohen përmes procedurave të rekrutimit sipas Ligjit për Zyrtarët Publikë. Shërbimet e veçanta të cilat nuk mund të sigurohen përmes procedurave të rekrutimit janë shërbime profesionale për të cilat Autoriteti Kontraktues ka nevojë por që nuk i plotëson kërkesat me stafin që e ka.

Ndryshe nga Ligji për Shërbimin Civil, i cili ka lejuar që punësimi me marrëveshje për shërbime të veçanta apo kontrata mbi vepër të bëhej jo më gjatë se 6 muaj, me Ligjin për Zyrtarë Publikë, kohëzgjatja e kontratave do të jetë deri në 36 muaj. Procedura për rekrutim të stafit për shërbime të veçanta fillon me publikimin e njoftimit për kontratë në platformën elektronike, të përgatitur në përputhje me nenin 40-të të Ligjit të Prokurimit Publik dhe me ngarkimin e Dosjes së tenderit të miratuar nga KRPP.

Vlerësimi do të bëhet menjëherë duke marrë parasysh disa kritere, të tilla sikurse: përvoja përkatëse e këshilltarit, cilësia e metodologjisë së propozuar, kualifikimi; dhe/ose transferimi i dijenisë, nëse kërkohet. Përvoja specifike do të vlerësohet nga 20 deri në 50, përshtatja e metodologjisë/planit të punës do të vlerësohet nga 20 deri në 50, kualifikimi nga 20 deri në 40 kurse transferimi i njohurisë (opsionale) 0-10.

“Pikët totale do të fitohen duke bashkuar pikët teknike dhe financiare. Notat e “kostos” duhet të përzgjidhen duke marr parasysh ndërlikueshmërinë e objektit të kontratës që duhet dhënë si dhe rëndësinë përkatëse të cilësisë. Rezultati i peshuar i propozimit financiar duhet të specifikohet në Dosje të Tenderit, dhe mund të jetë deri në 30 pikë”, theksohet në rregullat e KRPP-së.

BIRN, në raportin vjetor të rekrutimit ka parashikuar rrezikun që të keqpërdoret mundësia ligjore për punësime të ekspertëve me kontrata 3 vjeçare. Rreziku është që të përsëritet shkelja e bërë në të kaluarën duke punësuar persona dhe profile që veç janë të punësuar nëpër institucionet. E që kjo të mos bëhet, BIRN ka rekomanduar që Ministria e Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike të jep pëlqimin për punësimet që do të bëhen me tender.

Numri i madh i kontratave mbi vepër

Sipas raportit vjetor të vitit 2019 të auditimit, numri total i të angazhuarve përmes Marrëveshjeve për Shërbime të Veçanta, ishte 4,197. Krahasuar me numrin prej 2,618 në vitin 2018, ka pasur një rritje të këtyre të punësuarve për 1,579 kurse krahasuar me vitin 2017, kur ishin 2,929 kishte një rritje prej 1,268.

Rritja më e theksuar në vitin 2019 ishte tek Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për 1,115, të cilët ishin angazhuar për procesin e zgjedhjeve të parakohshme për kryetar në komunat: Mitrovicë Veriore, Zubin Potok, Zveçan, Leposaviq dhe Zgjedhjet e parakohshme parlamentare 2019.

Sipas Ministrisë së Financave, 2,947 persona kanë qenë të angazhuar me kontrata mbi vepër në nivelin qendror kurse 1,250 në nivelin lokal.

Gjetjet kryesore të dala nga raportet individuale të auditimit për vitin 2019, sa i përket këtyre të angazhuarve ishin: angazhimi i tyre pa respektuar ndonjë procedurë të rekrutimit, siç kërkojnë rregullat ligjore, periudha e angazhimit të zyrtarëve më e gjatë se sa afati i përcaktuar me rregulla, kontratat e lidhura për këto pozita ishin për pozita të rregullta, e jo për ekspertë të fushave përkatëse, për çka lejohet ky lloj angazhimi dhe vazhdimi i angazhimit të zyrtarëve me MSHV nga vitet paraprake.

Sipas raportit vjetor financiar të vitit 2019, të publikuar nga Ministria e Financave, Zyra e Kryeministrit ka pasur më së shumti persona të angazhuar përmes kontratave mbi vepër, gjithsej 538 (përjashtohet KQZ që ka angazhuar 1,115 persona në procesin e zgjedhjeve të parakohshme për kryetar në komunat: Mitrovicë Veriore, Zubin Potok, Zveçan, Leposaviq dhe Zgjedhjet e parakohshme parlamentare 2019). Zyra e Kryeministrit të Kosovës në vitin 2018 kishte të angazhuar 208 persona me kontratë mbi vepër, më pak se gjysma e atyre të angazhuar në vitin 2019.

Në nivelin qendror, pas Zyrës së Kryeministrit, më së shumti të angazhuar me kontrata mbi vepër në vitin 2019 ka pasur Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, gjithsej 181. Në vitin 2018, kjo ministri kishte pasur të angazhuar 172 persona me kontrata mbi vepër.

Pas MBPZHR-së, është radhitur Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë me 167 të angazhuar me kontrata mbi vepër në vitin 2019 kurse Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor me 162.

Sipas të dhënave të publikuara nga Ministria e Financave, institucionet e nivelit qendror që nuk kanë pasur asnjë të angazhuar me kontrata mbi vepër në vitin 2019 janë: Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, Ministria e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Agjencia Shtetërore për Ruajtjen e të Dhënave Personale dhe Komisioni i Pavarur i Mediave.

Në nivelin lokal, komuna e cila ka pasur më së shumti të angazhuar me kontrata mbi vepër është Komuna e Prishtinës, me gjithsej 210. Prishtina, në vitin 2018 kishte103 të angazhuar me kontrata mbi vepër,  përgjysmë më pak se në vitin 2019.

Pas Prishtinës, më së shumti të angazhuar me kontrata mbi vepër në vitin 2019 kishte Komuna e Ferizajt, 125 në total. Por Ferizaj në vitin 2019 kishte 63 më shumë të angazhuar me kontrata mbi vepër se në vitin 2018, kur kishte 188. Pas Ferizajt, është radhitur Fushë Kosova me 101, pastaj Suhareka me 100 dhe Gjilani me 86 të angazhuar me kontrata mbi vepër në vitin 2019.

Çalimi i vazhdueshëm i institucioneve me kontrata mbi vepër

Zyra Kombëtare e Auditorit ndër vite vazhdimisht ka gjetur parregullsi në rekrutimin e punëtorëve me kontrata mbi vepër.

Në vitin 2019, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë kishte mbuluar pozita të përhershme  me kontrata për shërbime të veçanta më gjatë se gjashtë muaj.

Auditori po ashtu kishte gjetur se Agjencia  Kosovare e Privatizimit gjatë vitit 2019 kishte angazhuar 68 punonjës me kontrata mbi vepër, pa zhvilluar ndonjë procedurë formale të rekrutimit.

Sipas Auditorit, angazhimi i punonjësve me marrëveshje për shërbime të veçanta pa procedura të thjeshtësuara të rekrutimit, kufizon konkurrencën dhe rritë rrezikun që përzgjedhja e stafit të bëhet në mënyrë jo transparente dhe si pasojë shërbimet e pranuara të mos jenë në përputhje me nevojat e AKP-së.

Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur se Komuna e Vushtrrisë e udhëhequr nga Xhafer Tahiri ka punësuar 34 persona me kontrata mbi vepër në vitin 2019 ku 25 prej tyre ishin të angazhuar që nga vitit 2018.

Auditori ka evidentuar që për të gjitha rastet fillimisht janë përdorur procedura të thjeshtësuara të rekrutimit, përderisa 21 prej tyre iu kishte vazhduar kontrata deri në tri herë edhe për gjashtë muaj të tjerë me kërkesë nga drejtoritë përkatëse ku ishin të angazhuar.

Në raportin e auditimit për vitin 2019, thuhet se këto shërbime ishin kryesisht për pozita të rregullta.

Ministria e Mbrojtjes i kishte angazhuar 56 zyrtarë me kontrata mbi vepër gjatë vitit 2019. Zyra Kombëtare e Auditimit ka thënë se punësimi i tyre është bërë pa asnjë procedurë të rekrutimit.

Sipas ZKA-së, këta zyrtarët fillimisht ishin angazhuar gjashtë muaj dhe pastaj u janë përsëritur kontratat pa ndërprerë.

Më 12 shtator 2019 ka hyrë në fuqi Ligji për Zyrtarët Publik në të cilin është paraparë edhe rekrutimi me marrëveshje për shërbime të veçanta por me 19 nëntor Gjykata Kushtetuese e ka pezulluar këtë ligj deri në shkurt të vitit 2020 pas ankesës së Institucionit të Avokatit të Popullit.

Në prill të këtij viti, Gjykata Kushtetuese përsëri ka vendosur që vazhdojë masën e përkohshme, përkatësisht pezullimin e zbatimit  të Ligjit për Zyrtarët Publikë deri më 30 qershor 2020.

Gjykata Kushtetuese për Ligjin për Zyrtarët Publik ka theksuar se ka nene të tij që nuk janë në përputhshmëri me disa nene të Kushtetueses së Kosovës. Por Kushtetuesja nuk e ka shfuqizuar këtë ligj në tërësi.

Gjykata ka kërkuar nga Kuvendi i Kosovës që ndërmerr veprimet e nevojshme për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Zyrtarët Publikë në harmoni me gjetjet e këtij aktgjykimit.

Ky Ligj i ka paraparë disa risi sa i përket procesit të rekrutimit të zyrtarëve publikë si në aspektin e shpalljes së konkurseve ashtu edhe në aspektin e vlerësimit dhe përzgjedhjes së kandidatëve. Ky Ligj pritet të zëvendësojë Ligjin për shërbyesit civilë.

Sipas gjykatës ky ligj cenon parimin e ndarjes së pushtetit të garantuar me Kushtetutë, si dhe pavarësinë e institucioneve të sistemit të drejtësisë.

Mbi këtë bazë, Kushtetuesja ka vendosur që ky ligj nuk  zbatohet në raport me: Këshillin Gjyqësor dhe  Këshillin Prokurorial të Kosovës; Gjykatën Kushtetuese; Institucionin e Avokatit të Popullit, Auditorin e Përgjithshëm të Kosovës, Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Bankën Qendrore të Kosovës dhe Komisionin e Pavarur të i Mediave, përderisa cenohet pavarësia e tyre funksionale dhe organizative e garantuar me Kushtetutë.

Ky ligj sipas vlerësimit të gjykatës cenon pavarësinë funksionale dhe organizative të sistemit të drejtësisë, Gjykatës Kushtetuese dhe Institucioneve të Pavarura.

Aktgjykimi i Kushtetueses thotë se në lidhje me institucionet e sistemit të drejtësisë, Ligji për zyrtarët publikë i jep kompetenca të gjera Qeverisë që të menaxhojë dhe mbikëqyr nëpunësit civil të administratës publike, duke përfshirë, edhe nëpunësit civil të institucioneve të pushtetit të Gjyqësorit, siç janë nëpunësit e Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe; Këshillit Prokurorial të Kosovës.

Tutje në aktgjykim thuhet se ligji i ka dhënë Qeverisë kompetenca për të nxjerr akte nënligjore për të rregulluar, çështjet e rekrutimit, emërimit, ngritjes në detyrë, orarit të punës, klasifikimit të pozitave, shkeljet disiplinore, e që në thelb ndikojnë edhe në funksionimin, klasifikimin e pozitave por edhe sistematizimin dhe strukturën organizative të institucioneve përkatëse të Gjyqësorit dhe të Institucioneve të Pavarura.

Punësimet e para me tenderë

Menjëherë pasi kanë hyrë në fuqi rregullat për prokurim të shërbimeve të veçanta, institucionet kanë shpallur konkurse përmes tenderëve për ekspertë dhe konsulentë.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka shpallur konkurs për 6 ekspertë. Kjo ministri po planifikon të punësojë 2 ekspertë juridikë, një ekspert për marrëdhënie me publikun, një ekspert për diplomaci ekonomike dhe 2 ekspertë për menaxhim dhe administrim. Ministria ka planifikuar 120 mijë euro për këto kontrata ndërsa kohëzgjatja e kontratave të këtyre ekspertëve do të jetë 36 muaj. Sipas njoftimit për kontratë, konkursi për 6 ekspertë për shërbime të veçanta është shpallur për mbështetje profesionale të MPJD-së në procesin e reformës dhe ri-organizimit të brendshëm.

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka shpallur konkurs për pranimin e dhjetëra konsulentëve për fusha të ndryshme, për nevoja të MKRS-së dhe institucioneve të saja vartëse. Megjithatë, konkursi përcillet edhe me paqartësi rreth numrit të punëtoreve që do të pranohen në punë. Në këtë tender janë dhënë pozitat por nuk është përcaktuar numri i zyrtarëve të cilët do të punësohen.

MKRS ka planifikuar të punësojë: konsulent të ekonomisë – kontabilitet; juristë; konsulent të Gjuhës Angleze; kosulent Historian; kosulent Etnolog; konsulent Laborant; konsulent Arkeolog; konsulent Skicograf; konsulent Ciceron; konsulent Arkitekt; konsulent Ndërtimtarë; konsulent Elektro; konsulent Piktor; konsulent për Integrime Evropiane; konsulent për Monitorim Evaluim dhe kontraktor individual për shërbime administrative.