Ramadani: Të gjitha sulmet ndaj gazetarëve duhet të dënohen nga çdo mekanizëm vendor e ndërkombëtar

Kryetari i Komisionit për Media dhe deputet i LVV-së, Valon Ramadani në seancën e Kuvendit ka folur për sulmet ndaj gazetarëve gjatë raportimit për situatën në tre komunat veriore të Kosovës.

Ramadani ka thënë se të gjitha këto sulme duhet të dënohen nga çdo mekanizëm vendor e ndërkombëtarë dhe të gjithë duhet të mbajnë përgjegjës dhunuesit.

“Të gjitha këto sulme ndaj gazetarëve tanë duhen të dënohen nga çdo mekanizëm vendor, e ndërkombëtar dhe të gjithë duhet të mbajnë përgjegjës dhunuesit e të drejtës dhe sulmuesit e të vërtetës. Vendi ynë ka shumë gazetarë e profesionistë të dedikuar në punën që e bëjnë dhe këtë më së miri e kemi parë këto ditë”- ka thënë ai.

Ai tha se si kryetar i Komisionit, ofron mbështetjen e plotë për gazetarët teksa shton se ata janë faktorët e domosdoshëm për demokracinë që në thelb e kanë të vërtetën dhe raportimin.

“Si kryetar i Komisionit për Media, unë i ofroj përkrahjen time të plotë e të pa rezervë për ta. Ata janë faktorët e domosdoshëm për demokracinë që në thelb e kanë të vërtetën dhe raportimin e tij. Në këtë mision nuk duhet të mbeten pa përkrahje e sidomos kur përballë kanë protagonistët e dosjeve të pasuara me krimet e të gjitha llojeve siç janë shërbëtorët e bandave që paguhen e dirigjohen nga kreu i Serbisë” – deklaroi Ramadani.

Deputeti u shpreh se që nga fillimi i tensioneve në veri, gjatë gjithë kohës janë informuar në kohë reale për çdo zhvillim.

“Gjatë gjithë kohës kemi pasur informata reale për cdo zhvillim në atë pjesë të vendit dhe kjo vetëm falë gazetarëve e gazetareve sy patrembur që misionin e raportimit e kanë pasur primar, madje edhe përtej sigurisë tyre fizike që për fat të keq nuk ka qenë aty ku duhet, jo për fajin e Policisë por të kriminelëve”- tha Ramadani.

“Këta gazetarë nuk kursyen aspak, pra duke rrezikuar edhe jetët e tyre vetëm e vetëm të jemi drejtë të informuar e për këtë jemi krenarë e mirënjohës sepse në këtë mënyrë është pasqyruar e vërteta dhe nuk është lejuar dezinformimi i paguar nga sistemi i Vladimir Putin dhe shërbyesit të tij, Vuçiq”- shtoi ai.

Ramadani gjithashtu ka përmendur sulmet fizike ndaj gazetarëve dhe demolimin e automjeteve të gazetarëve nga protestuesit.

“Demolim e djegie veturash, sulme fizike me armë zjarri, mësymje e agresion të formave të ndryshme, të gjitha këto kanë qenë prezentë kundrejt gazetarëve tani. Të njëjtat janë të faktuara me video dhe foto, disa i kam edhe me foto ku shihen dëmtimet e gazetarëve, e makinave të tyre”- theksoi ai.

Kuvendi i Kosovës po mban seancë të veçantë për situatën në veri të vendit dhe raportet e Kosovës me SHBA-në.

Ekipet e gazetarëve të cilët kanë raportuar nga Zveçani dhe Leposaviqi janë përballur me sulme dhe pengesa në raporti.

Dy ditë më parë persona të panjohur kanë thyer dritaren e veturës së ekipit të KALLXO.com i cili po raportonte nga Komuna e Zveçanit. Gazetarja, Shkodrane Dakaj dhe kameramani Afrim Ejupi në momentin e dëmtimit të veturës nuk kanë qenë prezent, të njëjtit kishin raportuar se janë mirë dhe se janë duke vazhduar punën e tyre.

Ndërkaq të hënën, veturat e ekipit të gazetarëve të KALLXO.com dhe RTV Dukagjini janë dëmtuar në mesditë nga persona të panjohur në Leposaviq. Veturave u janë shpërthyer gomat dhe janë vizatuar simbole nacionaliste serbe.

Nga e hëna serbët në veri janë duke protestuar për të kundërshtuar idenë që kryetarët e rinjë të ushtrojnë detyrat e tyre nga objektet komunale.

SHBA-të dhe BE vazhdimisht kanë kërkuar shtendosje të situatës në veri të Kosovës. Madje SHBA ka përjashtuar ushtrinë e Kosovës nga ushtrimi Defender 23 si pasojë për ‘mosdëgjimin’ që e ka bërë Qeveria e Kosovës.

SHBA po kërkojnë nga qeveria që kryetarët e ti të mos ushtrojnë detyrat e tyre nga objektet komunale dhe policia e Kosovës të largohet nga ato ndërtesa.

Për kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti kryetarët duhet të ushtrojnë detyrat nga zyrat e tyre, sepse sipas tij ‘Kosovës nuk i duhet sistem paralel’.

Dje, Presidentja Osmani ka takuar presidentin e Francës, Emmanuel Macron dhe kancelarin e Gjermanisë, Olaf Scholz si dhe ka mbajtur një takim ‘joformal’ me presidentin serb Aleksandar Vuçiq.
Nga këto takime është propozuar ideja që në katër komunat veriore, Zveçan, Leposaviq, Zubin Potok e Mitrovicë të Veriut të përsëriten zgjedhjet edhe njëherë.