Edi Rama duke votuar - Foto: REL/Reuters

Rama: Sot mos të ushqejmë asnjë ndjenjë negative ndaj askujt

Kryetari i Partisë Socialiste (PS), Edi Rama, ka votuar para disa minutash në zgjedhjet parlamentare që po mbahen në Shqipëri.

Në një konferencë për media, kryeministri shqiptar tha se sot është dita që mos të ushqehet asnjë ndjenjë negative ndaj askujt që shpreh një opionin ndryshe.

Ai u bëri thirrje qytetarëve që të dalin të shfrytëzojnë të drejtën e votës.

“Sot është një ditë shumë e bukur, një diell fantastik, dhe sot është dita që mos ushqejmë asnjë ndjenjë negative ndaj askujt që me votën e vet shpreh një opinion tjetër e mos ta harrojmë se jemi një familje e madhe në të njëjtin atdhe. Dhe nga ana tjetër, mos të harroj askush që demokracia është një sport dhe secili duhet të zbresë vetë në fushë dhe të gjuajë me votë. Kështu që zbritni në fushë dhe gjuani penalltinë vetë e në fund fitoftë më i miri”, tha Rama.

Partia Socialiste (PS), e drejtuar nga Edi Rama, është në garë për një mandat të tretë qeverisës përballë Partisë Demokratike (PD), të drejtuar nga Lulzim Basha.

Më 2013 Edi Rama ka fituar zgjedhjet parlamentare duke mundur ish-kryeministrin demokrat, Sali Berisha.

Rama fitoi edhe zgjedhjet e vitit 2017.