Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Rama: Sa më shumë të afrohemi, shtohen shanset për paqe përfundimtare mes Kosovës e Serbisë

Në Samitin në Ohër, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, duke folur për iniciativën e “Ballkanit të Hapur”, ka thënë se edhe Kosova e Serbia duhet të afrohen me njëra-tjetrën në këtë iniciativë për të rritur shanset për paqe.

Rama ka thënë se sa i përket kësaj teme nuk pajtohet aspak me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

“Besoj se sa më shumë të afrohemi aq më shumë shanse ka të zgjidhen konfliktet, e të bëhet paqe përfundimtare mes Serbisë e Kosovës. Një temë që unë nuk kam asnjë dakortësi me Vuçiqin. Zgjidhja është e thjeshtë. Ose mosdakordësia kthehet në konflikt permanent në të gjitha boshllëqet që mbesin në ekonominë tonë, në sigurinë tonë, ose e kundërta, të afrohemi sa më shumë që të kuptojmë njëri-tjetrin e në fund vetë njerëzit të jenë të vetëdijshëm se e ardhmja është më e rëndësishme se e shkuara”, ka thënë tutje Rama.

Sipas tij, pas nisjes së luftës në Ukrainë iniciativa e “Ballkanit të Hapur” është e domosdoshme.

“Ne e dimë. S’kemi pritur luftën në Ukrainë për ta ditur marrëdhënien speciale që Serbia ka me Rusinë. S’kemi pritur luftën në Ukrainë për të mësuar se mes Serbisë e Rusisë ka një histori. As për t’u informuar se mes Serbisë e Kosovës ka konflikt të pazgjidhur. Por midis të qëndruarit me kurriz nga e ardhmja dhe të kthimit të syve drejt të ardhmes, kemi zgjedhur të dytën”, ka thënë Rama.

Nisma rajonale “Ballkani i hapur”, do të mbahet sot  në Ohër të Maqedonisë së Veriut.

Përveç Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë në këtë samit për herë të parë do të marrë pjesë edhe Mali i Zi.

Përfaqësuesi i Malit të Zi, kryeministri Dritan Abazoviq ditë më parë tha se nuk ka dëgjuar argument se ‘Ballkani i Hapur’ nuk është i mirë për shtetin që ai përfaqëson.

Pjesë e këtij samiti nuk është Kosova, e cila e ka refuzuar në vazhdimësi ftesën për pjesëmarrje në këtë nismë.

Më 3 qershor u bë e ditur që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka refuzuar ftesën e kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, për të marrë pjesë në nismën Ballkani i Hapur.

Sot dhe nesër mbahet ‘Ballkani i Hapur’, nismës i bashkohet Mali i Zi, mungon Kosova