Sot dhe nesër mbahet 'Ballkani i Hapur', nismës i bashkohet Mali i Zi, mungon Kosova

Nisma rajonale “Ballkani i hapur”, do të mbahet sot dhe nesër në Ohër të Maqedonisë së Veriut.

Përveç Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë në këtë samit për herë të parë do të marrë pjesë edhe Mali i Zi.

Përfaqësuesi i Malit të Zi, kryeministri Dritan Abazoviq ditë më parë tha se nuk ka dëgjuar argument se ‘Ballkani i Hapur’ nuk është i mirë për shtetin që ai përfaqëson.

“Nuk kam dëgjuar argument të vlefshëm se ‘Ballkani i Hapur’ nuk është i mirë për Malin e Zi”, ka thënë Abazoviq.

Pjesë e këtij samiti nuk do të jetë Kosova, e cila e ka refuzuar në vazhdimësi ftesën për pjesëmarrje në këtë nismë.

Me 3 qershor u bë e ditur që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka refuzuar ftesën e kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, për të marrë pjesë në nismën Ballkani i Hapur.

Në një letër drejtuar homologut maqedonas, kryeministri Kurti thotë se Kosova është e angazhuar në Procesin e Berlinit që mbulon iniciativa rajonale, i cili u miratua nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor në samitin e Sofjes në vitin 2020 dhe u mbështet plotësisht nga Bashkimi Evropian.

Serbia, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria do të obligohen me një marrëveshje të përbashkët për përpjekjet e përbashkëta për të luftuar evazionin fiskal në të tri vendet.

Kështu thuhet në tekstin e Memorandumit të mirëkuptimit, në të cilin Radio Evropa e Lirë ka pasur qasje dhe të cilin përfaqësuesit e tre vendeve duhet ta nënshkruajnë në qytetin maqedonas të Ohrit, në takimin e nismës “Ballkani i Hapur”, të planifikuar për të mërkurën, më 8 qershor.

Krahas kësaj, në Ohër do të nënshkruhet edhe marrëveshje për njohjen e diplomave të arsimit të lartë, si dhe memorandume për bashkëpunim kulturor dhe në fushën e turizmit.