Rama: Pjesëmarrja e shteteve në "Ballkanin e Hapur" do të krijonte atmosferë më të mirë edhe për çështje të tjera

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama tha se nisma “Ballkani i Hapur” nuk ka kufizime për ndonjë shtet dhe se ka vend për të gjitha, siç ka thënë ai “gjashtë vendet e rajonit”.

Rama tha se nëse të gjashtë vendet do të jenë pjesë e kësaj nisme, atëherë do të kishte atmosferë më të mirë edhe në çështjet e tjera që ato kanë në mes vete.

“Është e thënë e stërthënë që të tre vendet pa dallim janë të ftuara që të punojmë se bashku me ne për njerëzit e tyre. Por, nëse të gjashtë vendet marrin pjesë atëherë edhe për to do të jetë shumë më e mirë atmosfera për të trajtuar edhe çështje të tjera. Edhe Franca dhe Gjermania filluan marrëdhëniet e tyre nga aty ku i dhemb popullit më së shumti pas luftës, tek ekonomia dhe buka. Këtë gjë, e nënvizoj edhe njëherë, se nuk ka asnjë kufizim për asgjë dhe askënd”, tha ai.

Këto deklarata ai i bëri gjatë konferencës së përbashkët me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe zëvendëskryeministrin e Maqedonisë së Veriut në kuadër të takimeve për “Ballkanin e Hapur”, që sot u mbajt në Beograd.