Rama e quan 'të pakuptimtë' seancën në OKB: Kosova e Serbia duhet të përqendrohen në dialog

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e ka konsideruar si të pakuptimtë seancën e Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OBK) të thirrur nga Serbia pas vendimit të Kosovës për të ndaluar dinarin serb dhe për shkak të mbylljes së disa komunave paralele serbe.

Rama ka thënë se Kosova dhe Serbia duhet të përqendrohen plotësisht në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Europian dhe të fokusohen në arritjen e marrëveshjeve.

“Ishte një seancë e pakuptimtë. Këshilli i Sigurimit i OKB-së është e qartë se nuk është vend për asgjë që lidhet me Kosovën. Si dy vende sovrane që aspirojnë anëtarësimin në Bashkimin Evropian, Kosova dhe Serbia duhet të përqendrohen plotësisht në dialogun e lehtësuar nga BE-ja dhe të fokusohen në arritjen e marrëveshjeve për qarkullimin financiar, shërbimin postar, taksimin e dyfishtë dhe të gjitha çështjet e tjera nga të cilat përfitojnë qytetarët e zakonshëm, duke siguruar edhe një të ardhme paqësore për brezat e ardhshëm”- ka shkruar ai në rrjetin social “X”.

Ndërsa ka thënë se Shqipëria qëndron pranë Kosovës në parandalimin e çdo kërcënimi të jashtëm.

Po ashtu, Rama ka thënë se do të vazhdojë t’i theksojë lidershipit kosovar rëndësinë e koordinimit të ngushtë me aleatët e saj kryesorë.

“Ndërsa qëndrojmë pranë Kosovës në parandalimin e çdo kërcënimi të jashtëm, Shqipëria do të vazhdojë t’i theksojë lidershipit kosovar rëndësinë e koordinimit të ngushtë me aleatët e saj kryesorë. Qëndrimi i palëkundur dhe i vazhdueshëm së bashku me ta tregon ndjenjën e vizionit dhe përgjegjësisë shtetërore, ndërkohë që çdo rast i qëndrimit të vetëm në rrugën e njohjes së plotë e zbeh pozitën e vendit në sferën publike të marrëdhënieve ndërkombëtare” – tha ai.

 

Seanca e Këshillit të Sigurimit të OKB-së është thirrur me kërkesë të Serbisë, pas vendimit të Kosovës për të ndaluar dinarin serb dhe për shkak të mbylljes së disa komunave paralele serbe.

Kryeministri Albin Kurti e ka quajtur gënjeshtër deklarimin e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq se në Kosovë ka persekutim ndaj qytetarëve serbë.

Kurti në seancën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (OKB) tha se një ide e tillë është thjeshtë gënjeshtër.

“Ideja që Kosova po kryen spastrim etnik apo persekutim ndaj komunitetit serb është thjesht gënjeshtër që është demantuar nga shumë organizata publike ndërkombëtare” – tha në fjalimin e tij, kryeministri Kurti.

Duke pretenduar se Kosova është pjesë e Serbisë, presidenti serb Aleksandar Vuçiq tha se euro në territorin e Kosovës përdoret në mënyrë të kundërligjshme.

“Do të vërë në pah edhe një fakt tjetër të padiskutueshëm. Duket e diskutueshme që euro është futur në territorin e Kosovës si mjet i vetëm ligjor në mënyrë dukshëm të kundërligjshme sepse është bërë me vendim të njëanshëm të lidershipit politik në Prishtinë” – tha Vuçiq.

Përmbledhje – Ballafaqimi Kurti-Vuçiq në KS të OKB-së për dinarin dhe Banjskën