Ilustrim

Rama: 30 qen endacakë janë adoptuar për një javë

Kryetari i Kryeqytetit, Përparim Rama, ka njoftuar se për një javë janë adoptuar 30 qen endacakë.

Rama thotë se shumë qytetarë të tjerë janë lajmëruar për të adpoatuar këto kafshë.

“Ekipet tashmë janë duke i shqyrtuar kërkesat dhe në kohë të shkurtër do iu kthejnë përgjigje. Po synojmë që secili qen në kryeqytet të ketë një pronar” – ka shkruar ai në Facebook.

Sipas njoftimit, secili nga qentë që jepet për adoptim do të jetë i pajisur me mikroçip dhe numri i tij do të jetë vendosur edhe në kontratë, monitorimi i të cilit do të bëhet nga Drejtoria për Siguri dhe Emergjenca.

I pari i Prishtinës thotë se janë siguruar që të ofrojnë kushte dhe trajtim human për qentë, e siguri shtesë për qytetarët.

Ai u shpreh falënderues për të interesuarit dhe u lut që të kenë kujdes për qentë dhe t’u japin atyre dashuri.

Nënshkrimi i kontratave për adoptimin e qenve endacakë ka filluar më 28 gusht. Atë ditë Rama kishte thënë se që nga ardhja e tij në qeverisje, kanë shpenzuar 1.6 milion euro për zgjidhjen e problemit të qenve endacakë.

Në rast që qentë gjenden në rrugë pas adoptimit, ai kishte treguar se do të ketë gjoba prej 1 mijë deri në 3 mijë euro.