Policia arreston teknikun e Albchrome, pas vdekjes së minatorit

Policia e Dibrës arrestoi teknikun dhe procedoi penalisht dy brigadier të kompanisë Albchrome në minierën e Bulqizës, pas një aksidenti në të cilin mbeti i vdekur një minator.

Policia e Dibrës njoftoi të shtunën se kishte arrestuar teknikun dhe proceduar penalisht dy brigadier të kompanisë Albchrome në minierën e Bulqizës, pas një aksidenti në të cilin mbeti i vdekur një punëtor.

Policia njoftoi se tekniku i arrestuar identifikuar si D.K dhe dy brigadierët e proceduar penalisht kishin për detyrë kontrollin e gjendjes teknike të frontit të punës dhe kanë neglizhuar punën. Kjo sipas policisë ka sjell shembje të një pjesë minerali, e cila ka lënë të vdekur minatorin 35-vjeçar.

“D. K., 34 vjeç, banues në Bulqizë, për veprën penale ‘Shkelje e rrrgullave të mbrojtjes në punë’, me detyrë teknik miniere në një subjekt minerar. Si dhe filloi procedimi penal për shtetasit L. A., 54 vjeç; V. Rr., 51 vjeç, banues në Bulqizë, me detyrë brigadier në një subjekt minerar”, njoftoi policia.

Kompania AlbChrome, në galeritë e kontrolluara prej të cilës ndodhi aksidenti, në një deklarat për mediat ditën e premten bëri me dije se ngjarja kishte ndodhur si pakujdesi e minatorit që humbi jetën.

”Një minator me profesion armator ka gjetur vdekjen si pasojë e aksidentit në nivelin e 18-të të minierës. Minatorët e pranishëm tregojnë se aksidenti ka ndodhur si pakujdesi gjatë punimeve për armatimin e galerisë. Nje katror i armatimin e ka zënë poshtë minatorin me iniciale E. A. duke i shkaktuar vdekjen.” thuhej në reagimin e Albchrome.

Në një deklaratë për shtyp, Sindikata e Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës deklaroi se aksidentet janë bërë të përditshme, ndërsa dënoi fajësimin e minatorit. “Shteti dhe kompanitë vazhdojnë të fajësojnë punëtorët, duke mos ndërmarrë asnjë hetim apo përmirësim serioz të kushteve të punës”, deklaron SMBB.

Shtatë aksidente u raportuan gjatë këtij viti në galeritë e Albchrome, ndërkohë që aksidenti i së premtes ishte më i rëndi, prej të cilit humbi jetën minatori Eltjon Alla, 35 vjeç teksa punonte në nivelin e 18-të.

Në shkurt të këtij viti një minator 49-vjeçar humbi jetën teksa punonte në galeritë e zonës krom-mbajtëse D në Bulqizë. Pak ditë më parë në zonën krom-mbajtëse të Martaneshit, mbetën të asfiksuar tre minatorë, pasi një punëtor po saldonte me gjenerator brenda galerisë.

Një tjetër minator u plagos rëndë në galeritë e kromit në zonën mineral-mbajtëse D në Bulqizë, si pasojë e shpërthimit të lëndës plasëse në galeri. reporter.al