Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

QKUK shpall konkurs për drejtorë të katër klinikave

Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK) ka shpallur konkurs për drejtorë të katër klinikave, të cilat aktualisht udhëhiqen nga ushtrues detyre.

Konkursi është hapur për drejtorë të Klinikës së Kirurgjisë Maksillo-faciale, Klinikës së Ortopedisë dhe Traumatologjisë Lokomotore, Klinikës së Hematologjisë dhe të Shërbimit Klinik të Kardiokirurgjisë.

Kirurgjia Maksillo-faciale udhëhiqet nga Alban Olluri, Ortopedia nga Xhavit Gashi, Hematologjia nga Suzana Krasniqi e Kardiokirurgjia nga Shpejtim Shurdhiqi.

Mandati për kandidatët fitues do të jetë 4- vjeçar.

Disa prej kushteve që kërkohen janë që kandidati të jetë mjek specialist i licencuar i fushës përkatëse, të ketë së paku 5 vjet përvojë pune, si dhe ta njohë mirë sistemin shëndetësor dhe organizimin e punës në institucione shëndetësore.

Kandidatët me thirrje akademike ose me thirrje shkencore dhe ata që dinë gjuhë të huaja kanë përparësi.

Drejtorët ndër të tjera kanë përgjegjësi dhe detyrë organizimin dhe mbikëqyrjen e secilës veprimtari në klinikë, udhëheqjen e stafit, të vizitave specialistike, përgatitjen e raporteve periodike e të tjera.

Dorëzimi i aplikacioneve do të jetë i hapur deri më 30.06.2024.