QKUK-ja s’e ka aparaturën e domosdoshme për kancer

Qytetarët në Kosovë duhet të ndajnë mijëra euro, nëse kanë nevojë për ekzaminime me aparaturën PET/CT.

Kjo aparaturë, që përdoret edhe për diagnostikim, edhe për menaxhim të llojeve të ndryshme të kancerit, por edhe të disa sëmundjeve të tjera, nuk ekziston në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

“Mua më është dashur të shkoj në Shkup. Fatkeqësisht, të paguaj dy herë”, thotë për Radion Evropa e Lirë Lindita Rugova, një grua në të 50-tat, e prekur më herët nga kanceri në gji dhe e ridiagnostikuar më vonë.

“Herën e parë, kam shkuar në një klinikë private – diku rreth 1.400 euro ka kushtuar. Kjo ka ndodhur para një viti e gjysmë dhe nuk e mbaj mend mirë çmimin e saktë. Herën e dytë, kam qenë në një institucion shtetëror në Maqedoninë e Veriut. Në të dyja rastet më është dashur vetë t’i paguaj shërbimet që i kam marrë atje”, thotë Rugova.

Në Kosovë, shërbimi PET/CT ofrohet në një institucion privat shëndetësor.

Të kontaktuar nga REL-i, zyrtarët atje thanë se ekzaminimi me këtë aparaturë kushton 1.000 euro dhe se kjo shumë mbulohet nga Fondi i Sigurimeve Shëndetësore të Kosovës – gjë të cilën e konfirmon edhe ky i fundit.

Megjithatë, zyrtarët e këtij institucioni thonë se pacientët duhet ta bëjnë terminin më herët, meqë materiali i nevojshëm për kontrollin në fjalë duhet të porositet në Turqi.

Sipas tyre, duhet të bëhen së paku tre pacientë për këtë ekzaminim dhe pastaj të porositet materiali.

Rastet me kancer në Kosovë

Në Kosovë, sipas autoriteteve shëndetësore, çdo vit regjistrohen deri në 1.500 raste të reja me kancer. Por, këtë vit, pritet të ketë rritje.

“Deri në fund të vitit, [pritet] që numri i rasteve të reja të jetë diku afro 2.000; deri në 400 vetëm me kancer të gjirit”, thotë për Radion Evropa e Lirë ushtruesi i detyrës së drejtorit të Klinikës së Onkologjisë në QKUK, Arben Bislimi.

Forma më e përhapur në Kosovë është kanceri i gjirit te gratë dhe ai i mushkërive te burrat, ndërsa grup-mosha më e prekur nga kjo sëmundje është mbi 50 vjeç.

Derisa rritja e numrit të rasteve, sipas mjekëve, është konform ecurisë së sëmundjeve malinje në përgjithësi, sfidë, thonë ata, mbetet zbulimi i vonshëm i sëmundjes.

Kur ka dyshime te një pacient, mjekët thonë se është e rëndësishme që skanimi me PET/CT të bëhet sa më parë, në mënyrë që të përcillet gjendja e pacientit dhe të përshkruhet terapia e duhur.

Skanimi me PET/CT i identifikon kanceret në faza të hershme dhe përcakton llojin e tyre, përkatësisht nëse janë malinjë apo beninjë. Ky lloj skanimi përdoret edhe për diagnostikimin e sëmundjeve neurologjike dhe kardiake.

Pse QKUK-ja nuk ka PET/CT?

Në Shërbimin Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës (SHSKUK) nuk iu përgjigjën interesimit të Radios Evropa e Lirë se përse QKUK-ja nuk ka aparaturë PET/CT.

Udhëheqës të disa klinikave në QKUK thonë se ajo është më se e nevojshme, në kohën kur numri i rasteve me kancer është në rritje.

Drejtoresha e Klinikës së Radiologjisë, Shkëndije Nuza, thotë për Radion Evropa e Lirë se nuk i di arsyet se përse kjo pajisje nuk është blerë kurrë.

“Ne, si klinikë, e kemi bërë gati kërkesën dhe do ta dorëzojmë bashkë me planifikimet e tjera që i kemi bërë gati për vitin e ardhshëm [2023]”, thotë Nuza.

“Bazuar në kërkesat e shumta për PET/CT, si metodë e avancuar diagnostikuese, si dhe në referimet e shumta jashtë vendit për këtë metodë diagnostikuese, në QKUK është e domosdoshme një aparaturë e tillë”, thekson ajo.

Ngjashëm thonë edhe në Shërbimin e Mjekësisë Nukleare të QKUK-së, ku bëhet diagnostikimi, vlerësimi dhe trajtimi i sëmundjeve të ndryshme, përfshirë kancerin.

“PET/CT-ja është e domosdoshme të jetë në QKUK, por, deri më sot, nuk kemi arritur ta kemi”, thotë drejtori i këtij shërbimi, Fakir Spahiu.

“Kemi punuar në atë drejtim, si mjekësi nukleare, si shërbim në QKUK… Kemi kërkuar që moti ta kemi si aparaturë, për ta ofruar shërbimin”, thotë Spahiu, duke mos i ditur arsyet se përse mungon ajo.

Ai shton se shërbimi që udhëheq ai, ka edhe personel adekuat për të operuar me PET/CT.

“Kemi qenë në Itali, kemi qenë në Turqi… Kemi parë se si punohet, jemi deri diku të përgatitur. Mirëpo, kur të vijë edhe aparatura, ajo e ka edhe pjesën e trajnimit”, thotë Spahiu.

“Është e nevojshme gjithsesi”, thotë edhe ushtruesi i detyrës së drejtorit të Klinikës së Onkologjisë, Arben Bislimi.

Çfarë thonë në Ministrinë e Shëndetësisë?

Në Ministrinë e Shëndetësisë në Kosovë thonë se bashkëpunojnë me SHSKUK-në për blerjen e pajisjeve të nevojshme.

“MSH-ja dhe SHSKUK-ja e kanë kategorinë e investimeve kapitale, ku prioritet u jepet atyre pajisjeve, të cilat profesionistët shëndetësorë i konsiderojnë të nevojshme dhe të arritshme për punën e tyre”, thuhet në një deklaratë me shkrim të Ministrisë së Shëndetësisë, dërguar REL-it.

Duke iu referuar vitit 2023, në deklaratë po ashtu thuhet se investimet kapitale do të varen nga udhëheqësia e SHSKUK-së.

Sipas vlerësimeve të disa mjekëve, një aparaturë PET/CT mund të kushtojë mbi një milion euro.

Dhe, mungesa e saj në QKUK nuk është problemi i vetëm për pacientët kosovarë.

Në shumë klinika të këtij institucioni, ata duhet të presin me muaj apo me vite për të marrë një shërbim të caktuar.

Në mungesë të personelit, për pacientët e shtrirë shpesh duhet të kujdesen edhe familjarët.

Për më tepër, qytetarët në Kosovë nuk kanë as sigurime shëndetësore. Vetëm disa mund të jenë të siguruar përmes kompanive private, që ofrojnë shërbime të tilla./REL,