Qeveria e Kosovës. Foto: Zyra e kryeministrit në Facebook

Qeveria tregon numrin e punëtorëve të sektorit privat që aplikuan për shtesat prej 100 euro

Deri me tani Qeveria e Kosovës ka pranuar mbi 290 mijë aplikime për shtesat prej 100 euro nga punëtorët e sektorit privat.

Kështu ka bërë të ditur për KALLXO.com zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu.

Kryeziu ka thënë se javën e kaluar është formuar komisioni për verifikimin e aplikimeve ndërkaq këtë javë ka filluar shqyrtimi i aplikimeve.

“Deri më tani janë mbi 290 mijë aplikime për shtesat prej 100 euro për punëtorët e sektorit privat, teksa aplikimi vazhdon të jetë i hapur.  Javën e kaluar është formuar komisioni për verifikimin e aplikimeve ndërkaq këtë javë ka filluar shqyrtimi i aplikimeve”, ka thënë ai për KALLXO.com.

Kryeziu tutje ka shtuar se ekzekutimi i mjeteve do të fillojë pas verifikimit.

“Pas verifikimit do të fillojmë ekzekutimin e tyre. Po punojmë që kjo të ndodhë sa më parë”, ka thënë ai.

Aplikimi për shtesat prej 100 euro për punëtorët e sektorit privat vazhdon të jetë i hapur.

Ky është LINKU në të cilin mund të aplikoni.

Ministria e Financave ka njoftuar se aplikimi për mbështetje nga kjo masë do të jetë i hapur nga data 21 prill deri më 20 maj 2022.

Qeveria e Kosovës më 12 prill mori vendim për ndarjen e një shume prej 100 eurosh për të gjithë pensionistët, studentët, punëtorët e sektorit publik e privat si dhe personat në skemë sociale si ndihmë.

Kjo do t’i kushtojë buxhetit të vendit rreth 100 milionë euro dhe përfshin mbi 800 mijë qytetarë.