Zjarrëfikësit FOTO- Atdhe Mulla

Qeveria shlyen obligimet ndaj zjarrfikësve për vitin 2019

Ministria e Financave ka njoftuar se ka bërë procesimin e pagave për muajin mars, ndërsa po ashtu ka shlyer obligimet për punën jashtë orarit, ndaj zjarrfikësve për vitin 2019.

Sipas njoftimit, pagat janë realizuar rreth një javë më parë se sa zakonsisht, duke pasur parasysh situatën aktuale me pandeminë COVID-19.

“Njoftojmë se me këtë pagë, përfshihet edhe pagesa e obligimeve të prapambetura për 861 zjarrfikës përfitues nga komunat e Kosovës dhe Agjencia për Menaxhimin e Emergjencave të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Financave.

Gjithashtu, Ministria ka bërë thirrje që të përdoren kartelat bankare për pagesa dhe të shtyhet tërheqja e pagave, për të mos krijuar rradhë të panevojshme.

“Gjithashtu ju njoftojmë se sistemi bankar është mjaft likuid dhe stabil si dhe mjetet në llogaritë tuaja bankare janë tërësisht të sigurta, dhe se bankomatet dhe degët e bankave janë të furnizuara mirë me para të gatshme dhe secili do të ketë mundësi të marrë shërbimet e nevojshme bankare”, thuhet në fund të njoftimit të Ministrisë së Financave.

KALLXO.com ka raportuar lidhur me sfidat e zjarrëfikësve kosovar lidhur me kushtet financiare dhe kushtet e punës.

Zjarrfikësit kërkojnë kalimin e Ligjit të Pagave, paralajmërojnë protesta

Ndërmjet dy zjarreve