Zjarrfikësit kërkojnë kalimin e Ligjit të Pagave, paralajmërojnë protesta

Sindikata e Zjarrfikësve të Kosovës ka mbajtur një konferencë për media, ku kanë shprehur pakënaqësitë e tyre dhe kanë kërkuar që Ligji i Pagave të kalojë.

Në këtë konferencë gjithashtu u tha se premtimet e kryeministrit në largim, Ramush Haradinajt, për t’i plotësuar kërkesat e zjarrfikësve mbetën vetëm në letër.

Kryetari i Sindikatës, Muharrem Beka, tha se zjarrfikësit për vite me rradhë po përballen me një situatë të rëndë. Sipas tij, kërkesat ata tashmë e sa kohë i kanë bërë publike, për të cilat është në dijeni edhe qeveria, por që deri më tash nuk është ndërmarrë asgjë.

“Gjatë këtyre viteve i kemi qasë problemit, duke i mbrojtur interesat e zjarrfikësve fillimisht, e pastaj edhe të qytetarëve dhe të shtetit. Të gjitha kërkesat tashmë janë të njohura, ne kur kemi dalë në nivel qendror, kemi mbetë pa buxhet, ndërsa pagat i marrim në nivel lokal. E vetmja gjë pozitive që është bërë, është Ligji i Pagave”, tha Beka.

Ai gjithashtu tha se gjatë viteve 2018 dhe 2019 ka pasur bisedime me qeverinë vazhdimisht, por premtimet e Haradinajt kanë mbetur vetëm në letër.

“Çka do të bëhet me zjarrfikësit nga 1 janari. Koeficienti është premtuar që do të nivelizohet nëpër të gjitha komunat. Nëse Ligji nuk kalon, zjarrëfikësit mbesin pa koeficient, pa paisje dhe pa kompensim. Duhet gjithsesi institucionet të mendojnë se çka do të ndodhë tash e tutje”, deklaroi Muharrem Beka.

Ndërsa Zymri Krasniqi nga po kjo Sindikatë, ndër të tjera tha se marrëveshja me kryeministrin Haradinaj nuk është zbatuar siç janë marrë vesh, kurse tha nëse Ligji për Paga nuk kalon, atëherë rruga e vetme mbetet dalja në protestë.