Qeveria e Kosovës

Qeveria propozon emrat për kryetar dhe anëtarë të Autoritetit Kosovar të Konkurrencës

Qeveria e Kosovës ka miratuar propozim-vendimin për t’i dërguar Kuvendit listën e emrave për kryetar, zëvendës-kryetar dhe anëtarë të Autoritetit Kosovar të Konkurrencës.

Hekuran Nikqi është propozuar për kryetar; Kaltrina Sela për zëvendëskryetare ndërsa Shpend Miftari, Besnik Stublla dhe Nafie Nosdautaj janë propozuar për anëtarë të Autoritetit Kosovar të Konkurrencës.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë mbledhjes së Qeverisë tha se këta emra bashkë me biografitë e tyre do t’i dërgohen Kuvendit për miratim.

Sipas Ligjit për mbrojtjen e konkurrencës, kryetari, zëvendëskryetari dhe anëtarët e Autoritetit Kosovar të Konkurrencës propozohen nga Qeveria dhe emërohen nga Kuvendi i Kosovës.

Tash e disa muaj ky autoritet kishte mbetur pa ‘zot shtëpie’ në kohën kur vendi po përballet me një valë të rritjeve të çmimeve në treg.

AKK përbehet nga Komisioni për Mbrojtjen e Konkurrencës, që është trupi vendimmarrës dhe përbëhet nga pesë anëtarë, përfshirë edhe kryetari i AKK-së.

Që nga muaji qershor i vitit të kaluar kur ka përfunduar mandati i kryetarit dhe komisionit të kaluar, AKK nuk e ka këtë trup funksional.

Mandati themelor i AKK-së është mbrojtja e konkurrencës së lirë dhe kjo nënkupton që AKK vepron kur cenohet, pengohet ose shtrembërohet konkurrenca në treg.