Qeveria do të mbulojë policën e sigurimit kufitar për diasporën

Qeveria e Kosovës ka miratuar propozimin e ministrit të Financave Hekuran Murati për mbulimin e plotë të obligimeve të Sigurimit Kufitar nga Qeveria e Republikës së Kosovës për gjithë bashkatdhetarët që janë subjekt i polices kufitare dhe vijnë në Kosovë deri në fund të vitit 2021.

“Brenda kësaj javë të lidhet marrëveshja dhe mbulimi të filloj prej datës 1 korrik”, tha Murati.

Ai tha se e marrin përsipër si qeveri mbulimin e kostos kufitare për policen e sigurimit kufitar për bashkatdhetarët deri në dhjetor.

“Ne do të punojmë ngushtë me ministritë e linjës që të gjejmë një zgjidhje për mundësinë e anëtarësimit të Kosovës në Kartonin e Gjelbër”, tha ai.

Kabineti qeveritar e ka miratuar edhe kërkesën për emetimin e letrave me vlerë që do të shiten me pakicë me emërtimin “Bono të Diasporës”.

“Ky instrument është shtesë për të mundësuar që kapitali i diasporës sonë të shkoj edhe në zhvillim por edhe t’i mundësohet atyre që të kenë edhe kthim në investim dhe jo vetëm investim pa kthim siç ka qenë deri sot. Përmes këtij investimi diaspora do të mund të kenë edhe kthim në investim”, tha Hekuran Murati.