Hidrocentrali në Deçan FOTO-Urim Krasniqi/KALLXO.com

Qendra për Raste Gjyqësore Strategjike reagon mbi vendimin e Gjykatës së Apelit për hidrocentralet e Deçanit

Qendra për Raste Gjyqësore Strategjike ka reaguar në lidhje me vendimin e Gjykatës së Apelit për rastin e Hidrocentrale në Deçan.

Kjo qendër përmes një komunikate për media e ka konsideruar si skandal faktin që Gjykata e Apelit ka dështuar të identifikoj dëmin që sipas tyre është duke e bërë ndërtimi i hidrocentralit.

“Qendra për Raste Gjyqësore Strategjike e konsideron skandaloze se si Gjykata e Apelit dështon ta identifikojë dëmin e qartë të pariparueshëm që hidrocentralet e kundërligjshme i shkaktojnë Deçanit, natyrës, banorëve paditës dhe të gjithë neve”, thuhet në reagimin e Qendrës për Raste Gjyqësore Strategjike.

Tutje në reagim thuhet se Gjykata e Apelit ka abuzuar me diskrecionin gjyqësor dhe ka mbështetur kompanitë që “dëmtojnë interesin publik”.

“Gjykata e Apelit e ka vlerësuar më të rëndësishëm interesin financiar të Kelkos Energy Sh.p.k. se sa interesin e të gjithë qytetarëve të Kosovës. Me largimin e masës ndaj hidrocentraleve shkatërruese të natyrës në Deçan, Gjykata e Apelit ka dëmtuar rëndë besimin e qytetarëve në sistemin e drejtësisë në Kosovë dhe ka formuar dyshim të bazuar në paanshmërinë dhe pavarësinë e saj”, thuhet në mes tjerash në reagim.

Sipas tyre, ky vendim i Gjykatës së Apelit e vë në pah nevojën urgjente për veting të gjyqtarëve në Kosovë.

“Në kolegjin e përbërë nga Gjyqtarët Mehmet Ndrecaj, Delushe Halimi dhe Gani Avdiu, Gjykata e Apelit ka refuzuar kërkesën për pezullim të lejeve dhe licencave për hidrocentralet në Deçan, dhe kështu ka hequr masën e cila ua ndalonte operimin hidrocentraleve Deçani, Belaja dhe Lumbardhi II deri në një vendim përfundimtar të gjykatës”, vazhdon reagimi i kësaj qendre.

Ata pretendojnë se me këtë endim është shkelur e drejta e qytetarëve.

“Me anë të këtij vendimi Gjykata e Apelit dëmton natyrën dhe shkel të drejtat e qytetarëve, dhe minon drejtpërdrejt besimin e qytetarëve në institucionet e drejtësisë”, thuhet në reagim.

Para disa ditësh, Gjykata e Apelit ka refuzuar përfundimisht kërkesën për pezullim të përkohshëm të lejeve dhe licencave të KelKos Energy të lëshuara nga MMPHI dhe ZRrE.

Apeli vendos në favor të ‘KelKos Energy’ për hidrocentralet në Deçan