Putini vë kushte që duhen plotësuar për armëpushim me Ukrainën

Presidenti rus Vladimir Putin i shtroi disa çështje për arritjen e armëpushimit me Ukrainën në një telefonatë me presidentin turk Rexhep Tajip Erdogan të enjten, sipas një zëdhënësi presidencial turk.

Erdogan e ka ofruar ndihmën e tij që t’i bëjë bashkë Putinin dhe Presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky në Turqi për të lehtësuar negociatat për t’i dhënë fund luftës, tha zëdhënësi i presidentit turk, İbrahim Kalin në një intervistë për gazetën turke Hurriyet të botuar të shtunën.

Kalin tha se ndërsa Zelensky ishte gati për t’u takuar, Putini parashtroi çështjet që duheshin zgjidhur përpara se të zhvilloheshin negociatat në nivel lidershipi.

“E para është neutraliteti i Ukrainës, domethënë heqja dorë nga anëtarësimi në NATO. Së dyti, çarmatimi dhe garancitë reciproke të sigurisë në kontekstin e modelit austriak. Së treti, procesi që pala ruse i referohet si ‘denazifikimi’. Së katërti, heqja e pengesave për përdorimin e gjerë të gjuhës ruse në Ukrainë. Kuptohet se është bërë njëfarë progresi në katër nenet e para të negociatave në vazhdim. Është shumë herët të thuhet se ka një marrëveshje të plotë ose se një marrëveshje është gati të arrihet e nënshkruar”, tha Kalin për gazetën.

Putin dhe zyrtarë të tjerë qeveritarë kanë bërë vazhdimisht akuza të rreme ndaj Ukrainës se motivet e tyre për pushtimin, kanë qenë të pabazuara duke thënë se Ukraina duhet të “denazifikohet”.

Kalin shtoi se Putini i bëri dy kërkesa të tjera që ishin “çështjet më të vështira”, njëra ishte njohja e aneksimit të Krimesë dhe dy “të ashtuquajturat” republika në Donbas. Kalin tha se këto dy çështje të fundit “janë kërkesa të papranueshme për Ukrainën dhe komunitetin ndërkombëtar”.

“Nëse arrihet një pikë në katër nenet e para dhe arrihet një marrëveshje, mund të ketë një diskutim në nivel liderësh për nenin e pestë dhe të gjashtë”, tha Kalin në intervistë, duke shtuar nëse negociatat zhvillohen, “ mund të jetë e mundur të arrihet një marrëveshje dhe t’i japë fund luftës.”

Kalin tha se Erdogan i kërkoi Putinit se armëpushimi duhet të bëhet i përhershëm. Drejtoria e Komunikimeve e Turqisë tha të enjten se Erdogan ofroi të jetë nikoqir i të dy presidentëve në Stamboll ose në Ankara, duke thënë se “konsensusi për disa çështje mund të kërkojë bisedime në nivel lidershipi”./CNN