Screenshot: Novosti.rs

Publikohet video e momentit të kidnapimit të zyrtarëve policor nga forcat serbe

Tre zyrtarë të Policisë së Kosovës janë kidnapuar nga forcat serbe ditën e sotme në vendin e quajtur ‘Tresave’, që gjendet thellë brenda territorit të Republikës së Kosovës.

Momenti i kidnapimit të këtyre policëve është publikuar nga media serbe Novesti.rs.

Videon në fjalë mund ta ndiqni KËTU.

Edhe ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla ka reaguar pas kidnapimit të siç e ka quajtur të tre zyrtarëve policorë kufitar në një pikë statike në vendin e quajtur Tresave.

“Përderisa rendi dhe ligji po zbatohet në vendin tonë, Serbia kriminale ka hyrë në territorin e Kosovës dhe ka kidnapuar 3 zyrtarë policorë të Republikës së Kosovës, në shkelje të çdo marrëveshje e kundër çdo parimi të normave ndërkombëtare”- ka thënë Sveçla në postimin e tij në Facebook.

Sipas tij zyrtarët policorë kanë qenë të vendosur thellë brenda territorit të Republikës së Kosovës, në pikë kontroll statik, duke kryer detyrat e tyre të rregullta.

“Serbia po vazhdon të jetë shkaktar dhe gardian i së keqes në rajon e në Kosovë. Ne nuk zmbrapsemi para kriminelëve e terroristëve. Serbia po tregon përsëri fytyrën e saj të vërtetë dhe atë të një shteti autokrat e agresor”- ka shtuar Sveçla.

Ministri ka thënë se kanë kërkuar nga faktori ndërkombëtar të rrisë urgjentisht presionin ndaj Serbisë që jo vetëm të lirojë zyrtarët tanë policorë por edhe të ndalë provokimet e saj.

“Sjellje të tilla kriminale të Serbisë nuk na ndalin në rrugëtimin tonë të forcimit të sovranitetit në vend”- ka shtuar Sveçla.

Policia e Kosovës ka konfirmuar se tre zyrtarë policorë kufitar patrullues janë siç thonë ata kidnapuar nga forcat serbe.

Në njoftimin e PK-së është thënë se kjo njësi ka qenë me detyre në pikë statike për të parandaluar shfrytëzimin e rrugëve ilegale, të cilat shfrytëzoheshin nga grupet kriminale për kalim ilegal dhe kontrabandë.

“Sot, në mesditë nga njësiti policor i cili ishte në përbërje prej tre zyrtarëve kufitar, kanë njoftuar se në afërsi të pikës statike kanë vërejtur person/a të maskuar dhe të armatosur, me këtë rast në drejtim të kësaj pike në asistencë janë nisur njësi shtesë të PK-së”- ka thënë Policia e Kosovës.

Tutje në njoftim thuhet se me të arritur në atë lokacion, njësitet asistuese kanë vërejtur vetëm veturën zyrtare por jo edhe vet zyrtarët policorë që kanë qenë me detyrë në atë lokacion.

“Në drejtim të këtij lokacioni menjëherë kanë shkuar edhe njësite tjera policore, si dhe janë informuar edhe institucionet tjera të sigurisë, përfshirë KFOR-in, pasi dyshohet se zyrtarët policor janë kidnapuar nga forcat serbe”- thuhet tutje në njoftim.

Policia ka njoftuar se me qëllim që të ndërmerren veprime konkrete për sigurinë e zyrtarëve policorë që dyshohet të jenë kidnapuar nga forcat serbe, janë kontaktuar të gjitha mekanizmat vendor dhe ndërkombëtar që të njëjtit të lirohen sa më parë dhe të kthehen në Polici të Kosovës.

“Po ashtu edhe media të ndryshme serbe kanë raportuar se pjesëtarët e njësiteve speciale serbe, kanë arrestuar zyrtarët e Policisë së Kosovës”- thuhet në njoftimin e policisë.

Policia: Kidnapohen tre policë nga forcat serbe