Publikohet raporti i auditimit për RTK-në, këto janë gjetjet e ZKA-së

Zyra Kombëtare e Auditimit ka publikuar raportin për pasqyrat financiare të Radiotelevizionit të Kosovës (RTK). 

ZKA ka gjetur se RTK kishte lidhur kontratë për “Shërbime teknike për Festivalin e Këngës” në vlerë 90 mijë e 600 euro me çmim ndryshe prej njoftimit të tenderit si dhe ishte nënshkruar 43 ditë me vonesë pas njoftimit mbi vendimin e autoritetit kontraktues. 

Zyra Kombëtare e Auditimit në gjetjen e saj ka theksuar se në dosjen e tenderit të RTK-së ishte potencuar që operatorët ekonomikë të cilët do të importojnë furnzimet që janë kërkuar janë liruar nga TVSH dhe duhet të kalkulojnë çmimin pa TVSH në dosjen e tenderit.

Por në çmimin e ofertuar nga operatori ekonomik ishte përfshirë edhe TVSH-ja në vlerë 13 mijë e 820 euro.

Për këtë Zyra e Prokurimit në RTK ka thënë se kanë aplikuar formatin e dosjes së tenderit që specifikon se me rastin e ofertimit duhet të ofrojë çmimin me të gjitha taksat e aplikueshme, përfshirë TVSH-në në vend. 

“Vlen të theksohet që zyra e financave kishte vërejtur gabimin e TVSH-së në faturë dhe nuk ka lejuar ekzekutimin e saj”- thuhet në raportin e ZKA-së. 

Ndërsa vonesa e nënshkrimit të kontratës është arsyetuar se kompania fituese kishte njoftuar me shkrim se zyrtari përgjegjës për nënshkrimin e kontratës ndodhet jashtë vendit. 

“Përzgjedhja e OE fitues duke e mbivlerësuar vlerën e kontratës për vlerën e TVSh-së përkundër kritereve të përcaktuara në dosje të tenderit ndikon mbi pagesa të shpenzimeve. Ndërsa, nënshkrimi i kontratës me vonesë ndikon në mos arritjen e objektivave me kohe për projektet e kontraktuara”- thekson ZKA.

Zyra Kombëtare e Auditimit ka dhënë opinion të kualifikuar për Radiotelevizionin e Kosovës në raportin vjetor për pasqyrat finaciare për vitin 2023. 

Auditorët mund të japin tre lloje opinionesh të modifikuara: opinion të kualifikuar, opinion të kundërt dhe mohim të opinionit.

Auditori jep opinion të kualifikuar kur Pasqyrat Financiare nuk janë në përputhje të plotë me standardet. 

Opinion të njëjtë RTK kishte marrë edhe në raportin e kaluar për vitin 2022 nga Zyra Kombëtare e Auditimit. 

Zyra Kombëtare e Auditimit në raportin e publikuar më 27.06.2023, për të cilin KALLXO.com kishte raportuar, liston një grumbull parregullsish financiare që janë hasur gjatë menaxhimit të RTK-së në vitin 2022, vit ky në të cilin udhëheqës i menaxhmentit të RTK-së ishte Shkumbin Ahmetxhekaj dhe kryetar i bordit ishte Besnik Boletini.

Një prej arsyeve pse Auditori konstatoi se ka pasur shkelje në mënyrën e shpenzimit të buxhetit ishte shpenzimi i rreth gjysmë milion eurove i buxhetit të RTK-së për blerje të shërbimeve të ndryshme, duke i shkelur rregullat e prokurimit publik dhe duke aplikuar tenderë njëburimor pa i respektuar procedurat e prokurimit.

Auditori i kishte tërhequr vërejtjen menaxhmentit dhe bordit të RTK-së për anashkalimin e procedurave të prokurimit në disa kontrata njëburimore. 

Në raportin e ZKA-së, të publikuar më 27.05.2024, thuhet se nga 12 rekomandime të dhëna vitin e kaluar për RTK-në, 11 nga to janë zbatuar ndërsa një rekomandim është zbatuar pjesërisht.