Protesta në Francë: Më shumë se 100 policë u lënduan në demonstratat e 1 Majit

Të paktën 108 oficerë policie janë plagosur gjatë ditës së sotme në përleshjet që ndodhën mes tyre dhe protestuesve të cilët po shprehin pakënaqësitë e tyre për reformat e pensioneve në të gjithë Francën, tha ministri i brendshëm, raporton BBC.

Ministri Gérald Darmanin tha se një numër kaq i madh i policëve të plagosurve është jashtëzakonisht i rrallë, duke shtuar se 291 persona të tjerë janë arrestuar gjatë trazirave.

Qindra mijëra protestues morrën pjesë në demonstratat e 1 Majit kundër reformave të presidentit francez Emmanuel Macron.

Ndonëse shumica ishin paqësore, prapë kishte grupet radikale që hodhën bomba me benzinë dhe fishekzjarrë, përderisa Policia u përgjigj me gaz lotsjellës dhe ujë.

Sipas raportimeve, ende nuk dihet se sa protestues janë lënduar.

Kryeministrja e Francës, Élisabeth Borne shkroi në Twitter se dhuna ishte “e papranueshme”, ndërsa vlerësoi gjithashtu “mobilizimin dhe angazhimin e përgjegjshëm” të demonstruesve në shumë qytete.

Kjo është dita e fundit e aksionit masiv kundër ndryshimeve që rrisin moshën e pensionit shtetëror nga 62 në 64. Sindikatat kërkojnë tërheqjen e tyre.

Ministria e Brendshme tha se numri i përgjithshëm i demonstruesve ishte 782 mijë, duke përfshirë këtu edhe 112 mijë protestuesit në kryeqytetin Paris, por sindikata CGT thotë se shifra është trefishi i këtij numri.

Në Paris, një oficer policie pësoi djegie të rënda në duart dhe fytyrën e tij kur u godit nga një bombë me benzinë, tha ministri i brendshëm Darmanin.

Dhuna shpërtheu edhe në Lyons, Toulouse dhe Nantes, ku automjeteve u dogjën dhe u sulmuan biznese.

Kishte gjithashtu raporte se protestuesit pushtuan për pak kohë një hotel luksoz në qytetin jugor të Marsejës.

Kjo e hënë, është hera e parë që nga viti 2009, prej kur tetë sindikatat kryesore të Francës kanë mbështetur thirrjet për një protestë, tha agjensia e lajmeve AFP.

Në anën tjetër, presidenti Macron thotë se reforma për të cilën janë mbajtur këto demonstrata, është një domosdoshmëri.

Ai nënshkroi reformën në ligj më 15 prill, disa orë pasi Këshilli Kushtetues i Francës mbështeti gjerësisht ndryshimet, por sondazhet e opinionit tregojnë se një shumicë e madhe e popullsisë kundërshton rritjen e moshës së pensionit.

Reformat pritet të hyjnë në fuqi në shtator.

Qeveria ka premtuar bisedime të mëtejshme, por sindikatat janë të vendosura për të shfuqizuar ndryshimet dhe nuk është e qartë se ku mund të gjendet një kompromis./BBC