Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Prorektori i Universitetit të Pejës: Kur humbëm akreditimin pësuam traumë

Prorektori për çështje ndërkombëtare i Universitetit të Pejës, Ibish Mazreku, ka treguar përvojën kur ky Universitet kishte humbur akreditimin për një vit.

Mazreku në “Kallxo Pernime” tha se si Universitet kishin përjetuar një traumë.

“Me ish-ekspertët nuk e kemi pasur një përvojë të mirë dhe ka qenë një traumë për neve si menaxhment në universitet kur kemi marrë akreditimin negativ. Traumë e përgjithshme sepse diskutohej çka të veprohej, kishte presione për dorëheqje për gjithçka, prej qytetarëve, studentëve dhe i gjithanshëm”, tha ai.

Ai tregoi edhe veprimet e mëtejshme.

“Ne pas kësaj jemi ulur, e kemi bërë një strategji çka duhet të veprohet, a duhet të mbesim mes rrugës dhe t’i shohim rekomandimet e reja, dhe kemi filluar me grupe punuese edhe me punimin e strategjisë dhe shumë figura kanë marrë pjesë dhe na kanë ndihmuar edhe vullnetarisht”, tha më tej Mazreku.

Në vitin 2019, Agjencia e Kosovës për Akreditim (AKA), kishte angazhuar dy eksperte ndërkombëtare, për të vlerësuar Universitetin publik të Pejës “Haxhi Zeka”.

Këto eksperte dolën me një raport që rekomandoi mosakreditimin e këtij Universiteti dhe për një vit nuk pati mundësi që të regjistrojë studentë, por pas një viti ky Universitet mori akreditimin.

Dosja e ekspertëve ndërkombëtar që rekomandon mosakreditimin e Universitetit të Pejës