Raporti i Progresit e ‘lavdëron’ Agjencinë e Kosovës për Akreditim

Agjencia e Kosovës për Akreditim ka pranuar ‘lëvdata’ në Raportin e Progresit të këtij viti, të përpiluar nga ana e Komisionit Evropian për Kosovën, krahasuar me raportin e vitit të kaluar.

Sipas këtij raporti, AKA po vazhdon përpjekjet për të rimarrë anëtarësimin në Shoqatën Evropiane për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (ENQA) dhe Regjistrin Evropian të Sigurimit të Cilësisë për Arsimin e Lartë (EQAR).

“Kapacitetet e Agjencisë u rritën me katër staf shtesë në 2020 dhe tetë vende të lira do të hapen gjatë vitit 2021”, theksohet në raport.

Raporti i Progresit theksoi se Agjencia arriti të përfundojë ciklin e plotë të akreditimit për vitin akademik 2021-2022, duke zvogëluar numrin e programeve dhe institucioneve, bazuar në kriteret e cilësisë.

“Anëtarët e rinj u emëruan në Bordin e AKA-së, të përzgjedhur përmes procedurave të hapura dhe transparente, pas dorëheqjes së pesë anëtarëve të Bordit”, thuhet më tej.

Në lidhje më këtë çështje, drejtori i AKA-së, Naim Gashi, në një prononcim për KALLXO.com e ka vlerësuar si pozitiv këtë raport dhe inkurajues për punën e AKA-së.

“Raporti për Kosovën i Komisionit Evropian në pjesën ku flitet për Agjencinë e Kosovës për Akreditim, është i saktë, është jashtëzakonisht pozitiv, është inkurajues për punën tonë dhe shpresëdhënës për kthimin tonë në Asociacionin Evropian të Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë (ENQA) dhe Regjistrin Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (EQAR)”, tha Gashi/

Sipas tij, ndonëse në kohë pandemie, Komisioni Evropian vlerëson se “Agjencia arriti të përfundojë ciklin e plotë të akreditimit për vitin akademik 2021-2022, duke zvogëluar numrin e programeve dhe institucioneve, bazuar në kriteret e cilësisë” dhe Gashi thotë se kjo tregon se AKA zbaton në plotni standardet evropiane të cilësisë, pasi që në proces të akreditimit gjatë këtij viti kanë qenë të angazhuar 81 ekspertë eminentë ndërkombëtarë.

“Komisioni Evropian e vlerëson punën tonë për përmbushjen e kritereve për kthimin në ENQA dhe EQAR kur thotë “AKA vazhdoi përpjekjet për të rikthyer anëtarësimin”. Në Raport, Agjencia e Akreditimit nuk ka marrë asnjë vërejtje për punën e saj. Po të lexohet me kujdes i gjithë Raporti i Komisionit Evropian ne jemi institucioni me performancën më të mirë në Republikën e Kosovës”, shtoi Gashi.

Në fund, Gashi tha për KALLXO.com se Komisioni Evropian ka vërtetuar edhe raportet e organizatave të shoqërisë civile në Kosovë, të cilat e kanë vlerësuar shumë pozitivisht punën e Agjencisë së Akreditimit.

Raporti i Progresit për vitin 2020 e kishte kritikuar punën e këtij agjencioni, i cili në atë kohë funksiononte pa drejtor por vetëm me ushtrues detyre për disa vite dhe ishte kritikuar mungesa e stafit të AKA-së.

“Agjencia mbetet e dobët  me vetëm katër anëtarë të stafit, dhe vendimi i bordit për të shkurtuar një numër të madh të programeve për mos përmbushjen e kritereve minimale të akreditimit u ballafaquan me kritika të panevojshme. Një drejtor i ri u emërua në mars të vitit 2020, pasi Agjencia u menaxhua me ushtrues detyre drejtorë për shumë vite”, thuhej në raportin e vitit 2020.