Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Drejtori i Agjencisë së Akreditimit: Në fund të majit përfundon procesi i vlerësimit të programeve akademike

Drejtori i Agjencisë së Kosovës për Akreditim, Naim Gashi, është shprehur i bindur se deri në fund të muajit maj do të përfundojë procesi i vlerësimit të programeve akademike të institucioneve të arsimit të lartë.

Gashi në “Kallxo Pernime” tha se pret që para përfundimit të testit të maturës shtetërore një gjë e tillë do të ndodhë.

“Sipas planit dinamik parashihet që deri në mesin e muajit maj procesi i vlerësimit të përfundojë për të gjitha programet akademike në Kosovë, mund të ketë aty-këtu ndonjë raport i ekspertëve deri më datën 20, por para përfundimit të maturës ku do të regjistrohen studentët e rinj të gjitha aplikacionet për programet akademike do të jenë të vlerësuar”, tha ai.

Ai tregoi se këtë vit në procesin e akreditimit kanë qenë 239 programe akademike të të gjitha institucioneve të arsimit.

“Në proces të akreditimit gjatë vitit 2020-2021 i kemi 239 programe akademie, aplikacione dhe futen në proces të akreditimit. Ju njoftoj se deri më tani i kemi kryer 116 vizita në teren dhe presim raportet e akseptëve 50 kanë ardhë dhe 7 kanë ardhur sot. Ideja është që para fillimit akademik duhet të funksionalizohet bordi dhe të aprovohen ato raporte”, tha Gashi më tej.