Vendimet e KShC-së për akreditimet institucionale, mbesin pa shqyrtim programet akademike

Bordi i Këshillit Shtetëror të Cilësisë në mbledhjen e 7 korrikut, mes polemikash ka miratuar raportet e ekspertëve ndërkombëtar për akreditime institucionale të institucioneve të arsimit të lartë (IAL).

Nga institucionet publike, bordi vendosi që t’i zgjatet edhe për tri vite akreditimi Universitetit të Gjakovës “Fehmi Agani”, sipas rekomandimit të ekspertëve ndërkombëtar.

Vendime të ndryshme pati sa i përket kolegjeve private. Bordi vendosi që t’iu rikthehet akreditimi institucionale kolegjeve: “Pjetër Budi”, “Biznesi” me kampus në Prishtinë dhe Prizren, “Tempulli Academy” të gjithave për tri vite, po ashtu me rekomandim të ekspertëve ndërkombëtar.

Bordi po ashtu vendosi që të mos akreditohet “Cacttus Education”, Kolegji “Globus” dhe Kolegji “Universi” si dhe Kolegji “UBT” me kampus në Gjilan, të gjitha këto sipas rekomandimeve të ekspertëve vlerësues ndërkombëtar.

Ndërsa për Universitetin e Gjilanit “Kadri Zeka” dhe për kolegjin “UBT” me kampus në Pejë, KShC vendosi që të votohet në mbledhjen e ardhshme. Për dy institucionet ekspertët kanë rekomanduar që të marrin akreditim për tri vite.

Debati gjatë mbledhjes

Mbledhja u zhvillua fillimisht me debat për agjendën e ditës e që shumica e anëtarëve kërkuan që të ndryshohet kjo agjendë, që në rend dite kishte votimet e raporteve të ekspertëve ndërkombëtar për akreditime institucionale dhe të programeve akademike.

Me mos ndryshimin e agjendës të pajtimit ishin vetëm anëtarët, Rozafa Koliqi dhe Dukagjin Zeka, që këmbëngulnin që të vazhdohet me të gjitha pikat e rendit të ditës.

Fillimisht, anëtari Gëzim Tosuni, tha se kjo agjendë nuk është reale.

“Mendoj se nuk duhet të ngutemi dhe sugjeroj që të marrim më shumë kohë dhe vendosim një agjendë më reale”, tha Tosuni.

Kurse kryetarja e Këshillit Shtetëror të Cilësisë, Hasnija Ilazi, tha se s’mund të shtyhen procedurat dhe duhet të zbatohen ligjet.

Tosuni po ashtu tha se nuk do të votojë sipas rekomandimeve të ekspertëve ndërkombëtar.

“Mendoj se ne duhet t`i pyesim për sqarime ekspertët nëse kemi diçka që s’mund t’i besojmë atyre. Le t’i bënë ministria ligjet dhe veç për sqarim unë nuk do të votoj çka do që thotë eksperti”, tha Tosuni.

Për këtë, kryetarja e Këshillit, Hasnija Ilazi tha se janë disa kritere që s’mund të ndryshohen.

“Ju mund të shikoni manualin e akreditimeve dhe janë kritere që s’mundemi mi ndryshu. Nuk them se duhet të gjitha sot me përfundu”, tha ajo.

Ndërsa, anëtari vendor, Seb Bytyçi tha se ka raporte që nuk janë të kuptueshme duke kërkuar që të bëhet akreditim 1 vjeçar për të gjitha institucionet dhe jo siç rekomandojnë ekspertët.

Ai po ashtu tha se në manualin për akreditim për ekspertët ndërkombëtar dhe mes udhëzimit administrativ ka hendek.

“Duke u bazuar në këto gjitha çështje kam konkluduar se raportet s’janë të besueshme dhe s’janë fajtor vetëm ekspertet por edhe faktor të tjerë. Për shkak të kësaj sugjeroj që të kalojmë me institucionale të kalojmë këto që s’janë akreditime dhe për ato që janë tri vjet, ne bëjmë akreditim për 1 vjet dhe e zgjidhim këtë çështje”, tha ai.

Kandidatja ndërkombëtare, Alison Felce tha se duhet përcjellur procedurat dhe të përfundoj ky proces.

Pas këtij diskutimi, kryetarja e Këshillit, Hasnija Ilazi tha se duhet vendosur se si do të vazhdojë mbledhja.

Kandidatja, Rozafa Koliqi tha se është kundër që të ndryshohet agjenda.

“Propozimi im është që të vazhdojmë me agjendën ashtu siç është”, tha Koliqi.

Ndërsa, anëtari Dukagjin Zeka tha se po situata po i duket si ‘déjà vu’ me ish-anëtarët e Bordit të kaluar.

“Po më duket si Déjà vu situate aktuale. Unë jam kundër që të ndryshohet agjenda sepse institucionet janë në pritje të vendimeve për hapje të konkurseve”, tha Zeka.

Anëtarja ndërkombëtare, Cassie Barnhard, tha se nxënësit mund të aplikojnë në programe që tashmë kanë akreditim.

“Pse nuk aplikojnë në programe që kanë akreditim? Ne mund të rrisim në ato programe numrin e studentëve të pranuar”, tha ajo.

Anëtari, Gëzim Tosuni po ashtu tha se mund të përzgjidhen vetëm 20 programe për akreditim deri në gusht dhe pas gushtit të vazhdohet me të tjerat.

Kurse, drejtori i Agjencisë së Akreditimit që është anëtar ex offico në Këshill, Naim Gashi tha se çdo vonëse në shqyrtimin e programeve prek instutcionet e arsimit të lartë.

“Pse kjo mbledhje është ugjente, është se ka shumë raporte dhe institucionet s’mund të regjistrojnë studentë pa programe të akredituara dhe kjo është arsyeja pse është urgjencë”, tha Gashi.

Në këtë mbledhje morën pjesë anëtarët: Hasnija Ilazi, Krenare Nuci Pireva, Seb Bytyçi, Gezim Tosuni, Alison Felce, Rozafa Koliqi, Dukagjin Zeka, Cassie Barnhard dhe Werner J. Stueber.

Me prezencë fizike ishin: Hasnija Ilazi, Krenare Nuci Pireva, Rozafa Koliqi, Dukagjin Zeka dhe Cassie Barnhard. Kurse online të kyçur ishin: Werner J. Stueber, Seb Bytyci, Gëzim Tosuni dhe Alison Felce.

Pas votimit të akreditimeve institucionale mbledhja e Këshillit Shtetëror të Cilësisë përfundoi duke mos u përmendur se kur do të vazhdojë mbledhja tjetër.

Ndërsa, KALLXO.com përmes burimeve ka kuptuar se mbledhja është planifikuar të mbahet më 27 korrik 2021.

Këtë vit në procesin e akreditimit janë 239 programe akademike të cilat janë në pritje të aprovimit nga ana e Këshillit Shtetëror të Cilësisë.

KALLXO.com përmes burimeve po ashtu ka kuptuar se për shkak të mos shqyrtimit të programeve, Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” ka shtyrë provimin pranues për studentë të rinj për vitin e ri akademik.

Kjo mbledhje është monitoruar nga Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese (BIRN) në kuadër të Memorandumit të Bashkëpunimit me KShC-në.