Ekspozita Kujtesa e Kosovës: Rrëfimet e të Mbijetuarve të Masakrës së Krushës së Madhe’. Foto: KALLXO.com.

Promovohet botimi i rrëfimeve të të mbijetuarve të masakrës së Krushës së Madhe - FOTO

Projekti prej 10 vëllimeve “Kujtesa e Kosovës: Rrëfimet e të mbijetuarve të masakrës së Krushës së Madhe”, është promovuar sot, 25.03.2024, në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani’.

Ky botim i historisë gojore përfshin transkriptimin e 200 intervistave të dëshmitarëve dhe të të mbijetuarve të masakrës së Krushës së Madhe.

Një ditë pas fillimit të bombardimeve të NATOS-s, më 25.03.1999, dhe në dy ditët që pasuan, forcat serbe masakruan 243 persona në Krushë të Madhe të Rahovecit dhe dogjën 893 shtëpi.

Për të mbuluar gjurmët e krimit, forcat serbe dogjën kufomat e të vrarëve, ndërsa shumë prej tyre ende figurojnë të zhdukur.

Botimi i historisë së të mbijetuarve të masakrës së Krushës së Madhe u tha se do të shërbejë për dokumentimin e krimeve që forcat serbe kanë kryer në Kosovë.

Albulena Haxhiu, ministre e Drejtësisë, tha gjatë fjalës së saj, se 25 vjet me parë, më 25, 26, 27 mars 1999, forcat serbe masakruan 243 persona në Krushë të Madhe. “Dëshmitë dhe dëshmitarët e kësaj masakre janë një burim i rëndësishëm për kujtesën tonë kolektive. Kujtesa jonë kolektive do të jetë e mangët pa mbledhjen e rrëfimeve të atyre që përjetuan drejtpërdrejt masakrën sikurse e atyre të Krushës” – tha Haxhiu.

Bardh Rugova, kryetar i Këshillit Drejtues të Bibliotekës Kombëtare “Pjetër Bogdani”, tha se dokumentimi i rrëfimeve për masakrën e Krushës ka rëndësi për të mos harruar të kaluarën. “’Kujtesa e Kosovës: Rrëfimet e të mbijetuarve të masakrës së Krushës së Madhe’, është një gjuhë e folur që është shkruar si një sfidë për kujtesën, për shoqërinë, që e ka aq të lehtë  të harrojë, këtë shoqëri që është mësuar të harrojë”- tha ai.

Ndërsa, Tahir Latifi, mentor i projektit“Kujtesa e Kosovës: Rrëfimet e të mbijetuarve të masakrës së Krushës së Madhe” tha se gjatë bombardimeve të NATO- s, forcat serbe kryen mbi 300 masakra, e ndër më të mëdhatë për një lokalitet ishte ajo e Krushës së madhe. “Edhe pse ka kaluar një çerek shekulli dhe shumë nga dëshmitarët e asaj masakre nuk jetojnë më, është parë e nevojshme të paktën përmasat e masakrës të dihen përmes rrëfimeve të të mbijetuarve“- tha ai

Miradie Ramadani, e mbijetuara e masakrës së Krushës së Madhe, ka treguar tmerrin që kanë përjetuar banorët e Krushës gjatë tre ditëve, 25, 26, dhe 27 marsit 1999.

“Kam përjetuar tmerrin, na kanë tubu në krye të fshatit, na kanë sharë e fyer, na kanë plaçkitë, i kanë nda burrat nga gratë, e pastaj i kanë nda në dy grupe, refugjatë dhe të Krushës së Madhe, i kanë rrehë, pasi na kanë largu gratë e fëmijëve, kemi pa zjarrin e edhe krismat, unë kam humbë burrin dhe 12 anëtarë të familjes Ramadani”- ka treguar ajo.

Projekti “Kujtesa e Kosovës: Rrëfimet e të mbijetuarve të masakrës së Krushës së Madhe” u realizua nga Biblioteka “Pjetër Bogdani” dhe Fakulteti Filozofik – Departamenti i Antropologjisë, të Universitetit të Prishtinës. Projekti u mbështet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit,  Ambasada e SHBA-së në Kosovë dhe Komuna e Rahovecit. Për realizimin e këtij projekti janë angazhuar 33 hulumtues.

Në kuadër të këtij aktiviteti, po sonte, 25.03.2024, në Bibliotekën Kombëtare është hapur ekspozita “Rrëfimet e të mbijetuarve të masakrës së Krushës së Madhe”.

Në këtë ekspozitë janë prezantuar video-intervistat e transkriptuara të të mbijetuarve të masakrës së Krushës së Madhe.

Promovimi i botimeve ‘Kujtesa e Kosovës: Rrëfimet e të mbijetuarve të masakrës së Krushës së Madhe’. Foto: KALLXO.com.
Promovimi i botimeve ‘Kujtesa e Kosovës: Rrëfimet e të mbijetuarve të masakrës së Krushës së Madhe’. Foto: KALLXO.com.
Promovimi i botimeve ‘Kujtesa e Kosovës: Rrëfimet e të mbijetuarve të masakrës së Krushës së Madhe’. Foto: KALLXO.com.
Promovimi i botimeve ‘Kujtesa e Kosovës: Rrëfimet e të mbijetuarve të masakrës së Krushës së Madhe’. Foto: KALLXO.com.
Ekspozita ‘Kujtesa e Kosovës: Rrëfimet e të mbijetuarve të masakrës së Krushës së Madhe’. Foto: KALLXO.com.
Ekspozita ‘Kujtesa e Kosovës: Rrëfimet e të mbijetuarve të masakrës së Krushës së Madhe’. Foto: KALLXO.com.