Osmani: Synuan ta shfarosin Kosovën, por Kosova do të rrojë përjetë

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka publikuar disa fotografi të fëmijëve të fshatrave Krushë e Madhe dhe Krushë e Vogël, duke thënë se këto vende u ringritën, pavarësisht synimeve shfarosëse.

“Synuan ta shfarosnin Krushën e Madhe e Krushën e Vogël, por ato u ringjallën, u ripërtërinë, u ringritën. Synuan ta shfarosin Kosovën, por Kosova do të rrojë përjetë. Lavdi të rënëve për liri”- ka shkruar ajo.

Masakra në fshatin Krushë e Madhe është më e madhja që ka ndodhur në Kosovë gjatë luftës.

Aksioni i forcave policore e ushtarake serbe në këtë fshat nisi më 25 dhe zgjati deri më 27 mars të vitit 1999.

Në këtë masakër u vranë 241 qytetarë, nga ta shtatë fëmijë, pesë gra (njëra shtatzënë) dhe kanë mbijetuar 25 të plagosur rëndë.

Në luftën e zhvilluar në Kosovë më 1998-99, janë vrarë mbi 13.000 civilë dhe mijëra të tjerë janë zhdukur.

Mbi 1.600 persona vazhdojnë të jenë ende të pagjetur – pjesa më e madhe e tyre shqiptarë.

Krerët shtetërorë zotohen për vendosjen e drejtësisë për krimet e luftës në Kosovë