Foto: Atdhe Mulla

Prokuroria sqaron pasojat nëse ziheni duke fotografuar votën

Arrestimi i një qytetari në Podujevë për fotografim të votës në zgjedhjet të cilat janë duke u zhvilluar në këtë komunë ngjalli debat në të gjithë vendin se a paraqet ky veprim vepër penale apo jo.

Për ta qartësuar këtë situatë KALLXO.com ka kontaktuar me Prokuroren Laura Pula e cila njëherit është koordinatore nacionale e Prokurorisë për zgjedhjet në Kosovë.

Ajo ka thënë për KALLXO.com se secili qytetarë i cili e bëjnë një veprim të tillë do ti nënshtrohet procedurave nga organet ndjekëse.

“Vota është e fshehtë dhe nuk guxon të fotografohet, ajo paraqet vepër penale kur fotografohet me qëllim të vartësisë ekonomike. Secili person që e fotografon votën i nënshtrohet marrjes në pyetje dhe verifikimit dhe arsyes së fotografimit të votës”, ka thënë Pula.

Ajo shtoj se në rast se konstatohet se dikush e fotografon votën me qëllim të përfitimit apo sipas porosisë atëherë ajo paraqet vepër penale dhe ai person do të ndalohet.

Sot gjatë ditës zgjedhore në Komunën e Podujevës u raportua për një incident në njërën nga qendrat e votimit të kësaj komune.

Një person u shoqërua për intervistim në polici me urdhër të prokurorit kujdestar pasi lindën dyshimet se e  kishte fotografuar votën.

Në nëntor të vitit 2019 një person ishte dënuar për fotografim të votës.

Enver Lukaci ishte dënuar me 120 ditë burgim me kusht pasi e kishte pranuar fajin se e kishte fotografuar votën.

“E pranoj fajin, mo asnjëherë s’kam me fotografu, bile s’kam me shku as me votu”, kishte thënë Lukaci.

Gjakovë- dënim me kusht për fotografim të votës