Arrestohet 30-vjeçari që fotografoi votën

Policia e Shtetit ka njoftuar se rreth orës 10:10 është marrë njoftim nga Komisioni i qendrës së votimit nr. 1767, e cila ndodhet në shkollën “Andon Zako Çajupi” në Tiranë, se është bllokuar përkohësisht procesi i votimit pasi nga anëtarët e Komisionit është konstatuar një shtetas që po fotografonte votën e tij.

Policia njofton se G.S., 30 vjeç, pasi është regjistruar, ka marrë fletën e votimit dhe ka shkuar tek dhoma e fshehtë ku ka fotografuar votën e tij.

Ky veprim është parë nga anëtarët e Komisionit.

“Shtetasit G. S. i është bllokuar fleta e votimit dhe më pas nga sherbimet e Policisë është bërë shoqërimi i tij në ambientet e Komisariatit, për veprime të metejshme hetimore. Në përfundim të veprimeve nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr.4 u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit G. S., 30 vjeç, për veprën penale “Shkelja e fshehtësisë së votës””, thuhet në komunikatën e Policisë së Shtetit.

Shqipëria është duke zhvilluar procesin zgjedhor për zgjedhjet parlamentare.