Një kuti votimi | Foto: Atdhe Mulla

Policia: Dy raste të dyshuara të fotografimit të votave në Podujevë

Policia e Kosovës ka njoftuar se që nga orët e hershme të mëngjesit ka ndërmarrë të gjithë hapat e duhur për të kontribuar në mbarëvajtjen e zgjedhjeve të parakohshme për kryetar të Komunës së Podujevës.

Në njoftim, Policia thotë se ka angazhuar rreth 400 zyrtarë policorë me detyra specifike në këtë proces, duke mos llogaritur edhe numrin e zyrtarëve të tjerë të angazhuar me detyra të përgjithshme në atë territor.

“Deri më tani kemi pranuar dy  thirrje nga kryesuesja e qendrës së votimit në shkollën e mesme “Isa Boletini” në Podujevë, për dy raste  që ndërlidhen me  dyshime për fotografimin e votes”, thuhet në njoftim.

Në të dyja rastet Policia ka shoqëruar në stacionin policor personat ndaj të cilëve janë ngritur dyshimet e pretenduara me qëllim të ndriçimit të rrethanave.

Ndërkaq nuk është raportuar për ndonjë incident tjetër i cili ka kërkuar trajtim nga ana e policisë.

“E gjithë infrastruktura policore e angazhuar në këtë proces me vëmendje të shtuar po monitoron rrjedhën e këtij procesi duke qenë e gatshme për të trajtuar gjithçka që kërkohet brenda autorizimeve dhe kompetencës sonë”, thuhet në njoftim të Policisë.