Incident në Podujevë arrestohet një person

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se deri më tani kanë pranuar dy thirrje nga kryesuesja e qendrës së votimit në shkollën e mesme “Isa Boletini” në Podujevë, për dy raste  që ndërlidhen me  dyshime për fotografimin e votës.

Në të dyja rastet policia thotë se ka shoqëruar në stacionin policor personat ndaj të cilëve janë ngritur dyshimet e pretenduara me qëllim të ndriçimit të rrethanave.

“Ndërkaq nuk është raportuar për ndonjë incident tjetër i cili ka kërkuar trajtim nga ana e policisë”, thuhet në njoftim.

KALLXO.com sot ka raportuar se një person është shoqëruar për intervistim në polici me urdhër të prokurorit kujdestar, në lidhje me dyshimet se i njëjti kishte fotografuar votën në një qendër votimi në Komunën e Podujevës.

Që nga orët e hershme të mëngjesit Policia e Kosovës bën të ditur se ka ndërmarrë të gjithë hapat e duhur për të kontribuar në mbarëvajtjen e  zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetar komune në Podujevë.

“Marrë parasysh numrin e qendrave të votimit, policia ka angazhuar rreth 400 zyrtar policor me detyra specifike në këtë proces, duke mos llogaritur këtu edhe numrin e zyrtarëve të tjerë të angazhuar me detyra të përgjithshme në atë territor”, thuhet në njoftim.

PK-ja tutje thekson se e gjithë infrastruktura policore e angazhuar në këtë proces me vëmendje të shtuar po monitoron rrjedhën e këtij procesi duke qenë e gatshme për të trajtuar gjithçka që kërkohet brenda autorizimeve dhe kompetencës së tyre.