Këshilltari i Kadri Veselit akuzon PDK-në për blerje votash

Kandidati i PDK-së për deputet në Kuvendin e Kosovës, Blerim Latifi ka thënë që humbjen PDK-së ia kanë shkaktuar vet kandidatët pasi që sipas tij, ata për të siguruar ulëse në Kuvendin e Kosovës kanë bërë ‘luftë të paskrupullt’.

“PDK- në nuk e ka mundur Vetëvendosje, e as LDK-ja! PDK- në e ka mundur PDK-ja: Lufta e paskrupullt e kandidatëve të saj për t’ia grabitur votat njëri tjetrit! Natyrisht, këtë luftë e kanë fituar ata që kanë pasur para dhe kanë kontrolluar infrastrukturën dhe logjistikën e partisë, për qëllime të veta”, ka thënë Latifi.

Tutje Latifi në postimin e tij ka thënë që i vetmi person që ka menduar për partinë në këtë fushatë, është vet kryetari Kadri Veseli.

“I vetmi njeri aty që ka menduar për fatin e partisë ka qenë kryetari i saj. Ai ka qenë i vetmuar në luftën e tij për ta shpëtuar PDK-në. Përpjekjen e tij, Kadare do ta quante ‘Fushata e vetmisë së madhe’”, ka shkruar Latifi në facebook.

Tutje ish-këshilltari i Kadri Veselit, ka thënë që i ka hyrë garës sepse ka besuar në platformën e tij për vendin dhe partinë.

“Gjatë kohës kur unë e mbroja PDK-në në studiot televizive, njerëz të saj, në terren, bënin fushatë kundër meje”, ka thënë tutje ai.

Kandidati i PDK-së, për deputet, Blerim Latifi tutje ka treguar se në PDK interesat klanore janë mbi ato të partisë.

“Kundërshtarët më primitivë nuk i kam në partitë tjera, por brenda PDK-së. Dhe, më e dhimbshmja ka qenë kur kam parë mjerimin politik në të cilin e kanë zhytur Drenicën, ku votat janë blerë me nga 5 deri në 10 euro, ose me metra drush për dimër, ose me lëmosha të tjera. Aty ku njerëzit shesin të drejtat e tyre politike, aty është i pakuptimtë çdo debat dhe çdo ide politike”, ka theksuar Latifi.

Tutje në postimin e tij në facebook, Blerim Latifi ka vazhduar të drejtoj kritika të shumta në drejtim të PDK-së në regjionin e Drenicës.

“Në ambiente të tilla politike, idetë e mira janë të destinuara ta humbin betejën me paratë e pista, të marra nga korrupsioni e zhvatja e shtetit dhe me premtimet e rreme për t’i punësuar njerëzit në institucionet publike, në mënyrë të paligjshme”, ka vazhduar Latifi.

Sipas tij, në këto zgjedhje PDK-ja ka humbur një betejë, duke shtuar se “Kosova ka me fitu luftën kundër bijve të saj të ligj, të cilët për pushtet janë në gjendje të shkelin mbi çdo normë, mbi çdo vlerë, e madje edhe të shkatërrojnë të ardhmen e fëmijëve të këtij vendi”.

Latifi ka falënderuar votuesit e tij në Skenderaj, të cilët sipas tij kanë përjetuar ‘torturë’ për ta ushtruar të drejtën e votës.

“Në fund dua t’i falënderoj nga zemra votuesit e mi në Skenderaj, të cilët e mposhtën frikën, thirrjet kërcënuese, propagandën e ndyrë kundër meje, presionin e pareve të ndyta, dhe më mbështetën”, ka theksuar ai.

Zgjedhjet nacionale në Kosovë janë mbajtur më 6 tetor, sipas rezultateve preliminare të KQZ-së fituese e këtyre zgjedhjeve është Lëvizja Vetëvendosje me 203 mijë e 052 vota apo 25.49 për qind. Ndërsa, LDK doli e dyta me 197 mijë e 702 vota apo 24.82 për qind të votave. Në këtë rezultat nuk janë numëruar votat e diasporës, votat me kusht, me postë dhe të personave me nevoja të veçanta.