Prokuroria e Gjilanit

Prokuroria: Paraqitet si pronar i kompanisë në Zvicër, ia merr 1,150 euro për një kontratë pune

Prokuroria Themelore në Gjilan i ka ngritur aktakuzë të pandehurit R.V. për përfitim të kundërligjshëm pasuror, pasi që i njëjti kishte paraqitur fakte të rreme para të dëmtuarit, duke i thënë se është pronar i një firmë në Zvicër dhe se është duke kërkuar punëtor.

Përmes dokumenteve të rreme, i pandehuri R.V. arrin ta bindë të dëmtuarin F.M. për të ia dhënë 1,150 euro, të cilat i kishte dërguar përmes “Western Union”.

“Sipas aktakuzës, i pandehuri R.V., më 29 tetor 2019, në komunën e Vitisë, përmes paraqitjes së rreme, duke fshehur faktet dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror, ka mashtruar të dëmtuarin F.M., në atë mënyrë që përmes rrjetit social ‘’Facebook’’, kontakton me të, duke u paraqitur si pronar i një firme nga Zvicra dhe se është duke kërkuar punëtor, mirëpo për t’ia rregulluar dokumentet i kërkon të holla, të cilat i njëjti ia paguan përmes ‘’Western Union’’”, thuhet në komunikatën e Prokurorisë Themelore të Gjilanit.

Pasi që i kishte marrë të hollat, i pandehuri nuk i ishte përgjigjur më tutje të dëmtuarit.

Sipas Prokurorisë, i pandehuri ka kryer veprën penale “Mashtrim”.