Kompania e kontraktuar nga Ministria e Infrastrukturës ka prerë asfaltin në pjesët e dëmtuara të rrugës – Foto: KALLXO.com

Prokuroria ndalon bartjen e materialit ndërtimor në Rugovë për objektet pa leje

Një urdhëresë e Prokurorisë së Pejës nuk i ka lejuar kamionët e ngarkuar me material ndërtimor të shkojnë në fshatrat e Rugovës.

Në pikën e kontrollit në kilometrin e parë në Rugovë nga ana e policisë janë kthyer mbrapa këto mjete transportuese të ngarkuar me material ndërtimor.

Prokuroria e Pejës ka treguar se vendimi vlen vetëm kur materiali ndërtimor shkon për objekte që nuk kanë leje të ndërtimit.

“Prokurori i Shtetit në bazë të kompetencave të tij nga neni 7 dhe 8 i detyrave të Prokurorit të Shtetit, ka urdhëruar këto institucione që të ndalojnë kalimin e mjeteve transportuese me materiale ndërtimore, nëse të njëjtat nuk prezantojnë leje të ndërtimit”, tha zëdhënësi i Prokurorisë në Pejë, Shkodran Nikçi.

Ky vendim i Prokurorisë është marrë me qellim të parandalimit të kryerjes se veprave penale të degradimit të ambientit.

Nikçi shtoi se gjatë takimeve që janë mbajtur nga prokurori i ngarkuar me veprat penale për degradimit të ambientit dhe institucionet si Drejtoria e Parkut Kombëtar, Ministria përkatëse dhe Policia e Kosovës është arritur konkluzioni për marrjen e një vendimi të tillë për parandalimin e ndërtimeve pa leje në Parkun Kombëtar.

Vendimi i Prokurorisë së Pejës nuk është pritur mirë nga banorët e Rugovës të cilët edhe kanë paralajmëruar protesta.

KALLXO.com ka raportuar për ndërtimet pa leje në Parkun Kombëtar.

OJQ-të: Vendimi për mosrrënimin e hotelit në Bjeshkët e Nemuna, precedent i rrezikshëm

 

Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Europian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e BIRN-it dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Europian.