Prokuroria e Pejës sekuestron veturën e përfshirë në një rast hetimi vetëm pas interesimit të KALLXO.com - VIDEO

“Diku 50 herë kam shkuar në Prokurori, vetëm me një kërkesë me u konfiskua vetura” – thotë Granit Ademaj nga Istogu, qytetar i cili tash e një kohë po përballet me një problem të madh, shkaku i një veture që e shiti, por që paratë nuk i mori.

Për këtë veturë ai paraqiti rast edhe në Policinë e Kosovës, që u iniciuar si vepër penale “Mashtrim”, e që aktualisht është duke u hetuar nga Prokuroria Themelore në Pejë.

Kërkesa e Ademaj për tu marrë vetura nga ana e organeve kompetente nuk u realizua deri javën e kaluar. E ai thotë se Prokuroria mori hapa në këtë rast vetëm pas interesimit të KALLXO.com për rastin.

Më 11 korrik 2023, në adresën zyrtare të kësaj Prokurorie, KALLXO.com kishte nisur disa pyetje për këtë ngjarje, e vetura më pas me vendim të prokurorit të shtetit ishte sekuestruar dy ditë më pas, më 13 korrik 2023.

Ademaj thotë se rasti i veturës për të cilën kishte autorizim për ta shitur, kishte filluar më 13 dhjetor 2022.

Ai në një intervistë për KALLXO.com tha se A.Rr., personit që e njihte e që dikur e kishte shok ia dha veturën Passat për ta provuar e për të vendosur nëse dëshiron ta blejë ose jo.

Vetura u vendos që t’i shitej A.Rr., ndonëse Ademaj tha se ishte njoftuar se parat nuk do mund t’i merrte menjëherë.

“Ngjarja ka filluar me 13 dhjetor për një veturë Passat CC të vitit 2012, më është paraqitur një i njohur, shokë prej shumë kohësh për ta blerë. Ja kam dhënë veturën atë ditë vetëm për ta provuar, se vetura normal nuk blihet menjëherë edhe pas dy ore më është paraqitur me telefon që është i interesuar për ta blerë, por paratë nuk i ka. Jemi marr vesh me pas pagesë me bankë, do të thotë krejt cash” – shprehet Ademaj.

Ai tregon se si A.Rr. i kishte thënë atë ditë se nuk i ka paratë që t’ia paguaj veturën, por që ia kishte dhënë disa opsione se si do t’i sigurojë paratë.

“Më tha nuk i kam paratë, i thash jo nuk mundem me ta qit në emrin tënd po kthehet vetura. Më tha jo po ia bëj diqysh po hy për s’ngushi, e kam vëllain në Amerikë, mi bën parat, tash të shkruan ai” – thotë Ademaj.

Tutje ai pretendon se më pas kishte marr një mesazh në Whatsapp nga një numër nga Amerika, e që ishte paraqitur si vëllai i A.Rr..

“Edhe më ka shkruar me një numër në Whatsapp më është paraqit vëllai i tij edhe me atë numër jam mashtru. I kam besu, e kam prit” – thotë Ademaj teksa shpjegon se si nga ky numër ka pranuar mesazhe të ndryshme duke i kërkuar që ta pres për parat e veturës disa ditë.

“Më ka thanë shuma është diku më shumë se 10 mijë euro, duhet me prit 10 ditë. Kam pritë 10 ditë, nuk janë bë. Më pas më ka thënë jo puna e vitit të ri, e festave u bë një vonim, vonojnë edhe do ditë, kam prit edhe 10 ditë e kam parë që nuk ka gjë” – thotë Ademaj.

Viktima më pas shton se ka kërkuar që t’i kthehet vetura, por që diçka e tillë ai tha se nuk ndodhi. E kjo pasi Ademaj pretendon se në ditën kur A.Rr. e mori veturën nga ai, ende pa përfunduar procedurat e kërkuara për dokumente, A.Rr. e ka shitur atë tek një person i tretë.

“Kam kërku me mu kthy vetura edhe nuk kanë leju, më ka thanë jo nuk kthehet, parët i kam, nuk është duke u vozitë vetura, andej-këndej, në rregull. Edhe dikur e pash që nuk ka gjë, shkova në shtëpi te ai. Ai veturën në mëngjes ma ka marr mu, pas dy-tri ore e ka shitur tek një person në Drenas edhe e ka shit në vlerë 11 mijë e 500 euro” – thekson Ademaj.

Ai tutje shton se veturën në fjalë, të cilën e shiti e paratë nuk i kishte marr ende më pas e gjeti në një faqe në Facebook.

“Edhe e kam gjet veturën në shitje, në ato faqet që janë shes blej gjithçka që janë, plus në vlerë 12 mijë e 850 euro. E kam thirr në telefon, kam shkuar edhe jam takuar me këtë djalin që e ka blerë. Edhe ma ka tregu rastin, ia tregova dokumentet, autorizimin që e kam që është i imi. Në ditën e parë nuk ka besu edhe ai se nuk iu është dukur normale që mundet dikush me e bë këtë gjest edhe kemi biseduar edhe ai mi ka paraqitur komplet këto mashtrimet që i ka pasur prej anës së tij” – shtoi Ademaj.

Tutje ai tha se pas kësaj, duke mbetur pa ndonjë zgjidhje tjetër, rastin e paraqiti në Policinë e Kosovës.

Pas kalimit të rastit në Prokurorinë e Pejës, Ademaj tha se avokati i tij ka bërë kërkesë për konfiskim të veturës.

“Diku 50 herë kam shkuar në Prokurori, vetëm me një kërkesë me u konfiskua vetura, vetura është konfiskuar dje (e enjte, 13 korrik) pas tetë muajve. Dje tetë muaj janë bërë, qe tetë muaj ajo veturë është vozitë pa asnjëfarë dokumenti prej blerësit që e ka bërë, ilegal, po normal edhe ai është mashtruar njëjtë si unë” – thotë ai.

E për këtë rast, zëdhënësi pranë Prokurorisë së Pejës, Shkodran Nikçi në një intervistë për KALLXO.com ka thënë se këto çështje nuk shkojnë me propozime të palëve, por sipas tij këto çështje shkojnë sipas detyrës zyrtare të Prokurorit të Shtetit.

“Pasi që janë intervistuar palët, pasi që janë shqyrtuar të gjitha informatat, prokurori i shtetit e ka parë të arsyeshme që vetura, e cila tash ka kaluar tek pala e tretë, e ka parë të arsyeshme që të lëshohet urdhëri për sekuestrim të përkohshëm deri sa të përfundojnë të gjitha procedurat hetimore dhe njëkohësisht të merr epilog kjo çështje penale” – thotë Nikçi.

“Siç e thash prokurori i shtetit nuk aprovon kërkesa apo propozime për sekuestrime, kjo shkon në bazë të Kodit për Procedurë Penale dhe njëkohësisht shkon sipas detyrës zyrtaret të prokurorit të shtetit, e jo sipas palës së dëmtuar apo palës së pandehur, secili mund të ketë teke të ndryshme të sekuestrohet kjo të sekuestrohet ajo dhe prokurori të mbet vetëm të plotësoj dëshirat” – u shpreh Nikçi.

Tutje ai shtoi se çështja e sekuestrimit të veturave është mirë e rregulluar me ligj dhe sipas kodit të procedurës penale , prokurori i shtetit mund të sekuestroj dhe të njëjtën kërkesë duhet ta aprovoj gjykata.

Ai gjithashtu tha se për këtë rast pritet të intervistohen edhe disa palë, dhe pas intervistimit të tyre nuk përjashtohet edhe mundësia e zgjerimit të hetimeve në këtë çështje panele.

“Pasi të procedohet kjo çështje besoj që prokurori i shtetit do të ngrit aktakuzë” – theksoi zëdhënësi.

I përfshirë në këtë rast është edhe Xhemajl Ahmeti. Ai e kishte blerë veturën për më shumë se 11 mijë euro nga A.Rr..

Ahmeti për KALLXO.com ka thënë se rastin e ka raportuar në organet kompetente dhe se po pret të ftohet nga institucionet për të dhënë deklaratë.

KALLXO.com ka komunikuar edhe me A.Rr.. Ai ka thënë se do të vazhdojë të bashkëpunoj me organet kompetente deri në përfundim të këtij rasti.

A.Rr. më 2 qershor 2023 ishte deklaruar në Prokurorinë e Pejës për rastin si i pandehur.

Sipas kësaj deklarate, A.Rr., pranë kësaj Prokurorie ka thënë se për blerjen e veturës nuk ka pasur asnjë kontratë, por vetëm marrëveshje verbale. Ai ka thënë se vetura në fjalë është blerë në vlerë 13 mijë e 500 euro, e se veturën e kishte parë në Prishtinë.

A.Rr., në prokurori ka deklaruar se vetura iu është prezantuar nga shoqja e Granit Ademaj, e që pas 2 apo 3 ditëve ai është takuar me këtë të fundit ku kanë biseduar për veturën dhe çmimin e saj.

“Pasi nuk i kisha parat të tërat u dakorduam i njëjti të më pres në kohëzgjatje prej dy muajve” – ka deklaruar A.Rr. në Prokurori.

Ai gjithashtu ka thënë se veturën më pas ia kishte shitur Xhemajl Ahmetit pas 2 ose 3 ditëve, në vlerë 11 mijë e 150 euro.

“Ai m’i ka paguar të gjitha parat dhe unë i thashë të njëjti se kjo veturë nuk mund të përkthehet brenda 2 muajve” – tha tutje i dyshuari.

Po ashtu, A.Rr. ka thënë se një ditë pasi e ka shitur veturën, pra të nesërmen e ka njoftuat Granit Ademaj përmes telefonit dhe e ka njoftuar për shitje të veturës, e që po ashtu atij ia ka ofruar edhe 5 mijë euro.

“I njëjti më tha se jo por i dua të gjitha parat ashtu sic jemi marr vesh si në fillim” – shtoi ai tutje.

“Jam i gatshëm që të përgjigjem edhe për të gjitha dëmet eventuale nëse ia kam shkaktuar veturës në fjalë” – kishte thënë tutje ai.

Madje, A.Rr. në deklaratën e tij kishte thënë se kishte kërkuar nga ana e Granit Ademaj që të pres edhe 1 muaj e gjysmë dhe të mos dyshoj që ai nuk do t’ia bëj pagesën, me kusht që ai të mos ndiqet penalisht.

Po ashtu, në këtë deklarim, i pandehuri kishte thënë se është i gatshëm që t’i përgjigjet detyrimit për pagesë për rreth 5 javë, nëse Granit Ademaj tërheqë lëndën, por që ky i fundit nuk pranoi diçka të tillë.