Projektligji, avokatët nuk mund të kundërshtojnë propozimin për shkarkim nga prokurori

Qeveria e kaluar  në janar të vitit 2019, ka nxjerrë projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Kodit të Procedurës Penale.

Ky projektligj  që pritet të dërgohet për votim në Kuvend, i ka shtuar të drejta prokurorit të Shtetit në raport me Kodin aktual të Procedurës penale.

Sipas këtij projektligji, prokurori i çështjes ka të drejtë të kërkojë shkarkimin e avokatit i cili mbron të akuzuarin në procesin penal dhe nuk cek arsyet për shkarkimin e avokatit.

Projektligji ka paraparë në nenin 60  vendimin për shkarkimin e avokatit që mbron të akuzuarin në procesin penal.

Sipas këtij neni, “Shkarkimi i mbrojtësit vendoset me kërkesë të prokurorit të shtetit apo sipas detyrës zyrtare nga gjyqtari i procedurës paraprake, kryetari i trupit gjykues, trupi gjykues ose gjyqtari i vetëm gjykues.

Ky projektligj parasheh se para se te merret vendimi nga Gjykata kërkohet edhe pëlqimi i personit te akuzuar.

“Para marrjes së aktvendimit, gjykata e merr mendimin e të pandehurit dhe mbrojtësit” shkruan në paragrafin e 2 –të të nenit 60.

Por ky projektligj ashtu si edhe Kodi aktual i Procedurës Penale  ka paraparë që ndaj vendimit të gjykatës për shkarkimin e avokatit nuk lejohet ankesa.

Në paragrafin 4 të këtij neni parashihet që “për shkarkimin e mbrojtësit, prokurori i shtetit ose kryetari i gjykatës e njofton Odën e Avokatëve të Kosovës”.

Ndërsa Kodi i Procedurës Penale, në fuqi  në nenin 59 parasheh që “mbrojtësi i caktuar mund të kërkojë që të shkarkohet vetëm për shkaqe të arsyeshme”.

Aktvendimi për shkarkimin e mbrojtësit në rastet e parapara para shqyrtimit gjyqësor merret nga gjyqtari i procedurës paraprake, gjatë shqyrtimit gjyqësor merret nga gjyqtari i vetëm gjykues apo kryetari i trupit gjykues, kurse në procedurën e apelit merret nga kryetari i kolegjit të apelit të Gjykatës së Apelit apo Gjykatës Supreme.

Kundër këtij aktvendimi nuk lejohet ankesë.

Sipas kodit, në bazë të kërkesës së të pandehurit ose me pëlqimin e tij, kryetari i gjykatës mund të shkarkojë mbrojtësin e caktuar i cili nuk e ushtron si duhet detyrën. Në vend të mbrojtësit të shkarkuar, kryetari i gjykatës cakton një mbrojtës të pavarur me përvojë dhe kompetencë në pajtim me natyrën e veprës penale. Oda e Avokatëve të Kosovës njoftohet për shkarkimin e mbrojtësit.

Lidhur me nenin 60 të Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Kodit të Procedurës Penale, për KALLXO.com prokurori i shtetit Besim Kelmendi  ka thënë:

“Edhe pse ende nuk dihet se cili do të jetë versioni final i Kodit të Procedurës Penale, konsideroj se është e drejtë nëse prokurori e sheh se avokati mbrojtës po punon në kundërshtim me interesat e klientit të tij dhe në kundërshtim me dispozitat e KPP, si dhe Ligjin për Avokatinë të propozojë shkarkimin e tij”.

Ai megjithatë tha se mendon që avokatëve duhet t’i lejohet e drejta e ankesës.

“Gjithashtu pajtohem se avokati mbrojtes duhet ta ketë të drejten e ankesës, sepse në të kundertën do të cënohej parimi i dyshkallshmërisë në rastet e tilla”,tha ai.

Ndërsa, nënkryetari i Odës së Avokatëve të Kosovës, avokati Naim Rudari, për KALLXO.com ka thënë se këtë nen të projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Kodit të Procedurës Penale e konsideron si të dëmshëm si  për avokatët ashtu  edhe për palën në procedurë.

Tutje Rudari, ka shtuar se ky nen bie ndesh me parimin e barazisë në procedurën penale pasi nuk kanë mundësi që propozimin e prokurorit t’a kundërshtojmë e po ashtu as ndaj vendimit të gjykatës nuk kanë të drejtë të paraqesin ankesë.

Rudari në mes tjerash ka thnë se ky nen është edhe i paarsyeshëm sepse nuk janë cekur shkaqet që do ta shtyenin prokurorin e shtetit ta propozojë shkarkimin e një avokati.

“E kjo në thelb do të prekte më së shumti interest e personit të akuzauar  që të ketë një mbrojtje të mirë ligjore”, përfundoi ai.