Programi i qeverisë pa strategji afatgjate

Qeveria e Kosovës ka prezantuar programin e saj qeverisës 2020-2023, i cili në fokus, prezantohet se ka zhvillimin ekonomik, hapjen e vendeve të reja të punës, tërheqjen e investimeve të huaja dhe luftimin e dukurive negative, siç është informaliteti që pengon ekonominë.

Programi qeverisës 2020-2023 është votuar në mbledhjen e fundit të Qeverisë së Kosovës. Në pika të shkurtra, këtë program e kanë shpalosur zyrtar të qeverisë si dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

E para shtyllë e këtij programi, sipas kryeministrit Kurti, konsiston në zotimin për të luftuar në mënyrë të pakompromis korrupsionin dhe krimin e organizuar dhe shtylla e dytë, si prioritet kryesor ka rritjen ekonomike, zgjerimin e investimeve dhe krijimin e vendeve të punës.

Ekspertë të çështjeve ekonomike dhe përfaqësues të bizneseve në Kosovë e konsiderojnë një program i cili do të mund të realizohet nëse zbatimi i tij do të merrte seriozitetin e plotë nga dikasteret e qeverisë.

Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka tha për Radion Evropa e Lirë se pikat e programit qeverisës të paraqitura nga kryeministri Kurti, janë përgjigje në shumë aspekte ndaj kërkesave të komunitetit të biznesit dhe shoqërisë civile të paraqitura përgjatë viteve.

“Fuqizimi i sundimit të rendit dhe ligjit, luftimi i korrupsionit, luftimi i ekonomisë joformale si dhe përmirësimi i zbatueshmërisë së kontratave përmes krijimit të gjykatës komerciale, të gjitha këto të paraqitura në programin qeverisës, janë gjëra të cilat do të ndihmonin në përmirësimin e imazhit të vendit para investitorëve të huaj dhe krijimin e një mjedisi të barabartë ku bizneset në Kosovë do të trajtoheshin barabartë. Një mjedis i tillë i barabartë nuk ka qenë në të kaluarën”, thotë Zeka.

Luftimi i ekonomisë joformale, luftimi i korrupsionit si dhe krijimi i vendeve të reja të punës kanë qenë prioritet edhe në programet e qeverive të kaluara, thotë Zeka, por sipas tij, rezultatet nuk kanë qenë të kënaqshme.

Zeka thotë se sa i përket fuqizimit të kapaciteteve të brendshme prodhuese, është ndjekur një politikë dinamike fiskale edhe nga qeveritë e kaluara duke krijuar lehtësira për gati të gjitha lëndët e para që përdoren nga industria prodhuese si dhe janë liruar nga tatimet, por qasja në financa e bizneseve prodhuese, thekson ai, vazhdon të mbetet problematike.

“Ne si Odë Ekonomike Amerikane në Kosovë kemi sugjeruar që qeveria e re të bashkëpunojë me Fondin Kosovar për Garantimin Kreditor ashtu që të ketë një linjë të veçantë për prodhuesit për t’iu dhënë mbështetje kurdo që aplikojnë për financim në institucionet financiare vendore”, thotë Zeka./REL.