Foto: Ilustrim

Prishtinë, 2 të arrestuar për mashtrim, dyshohet se viktimës i morën gjysmë milioni euro

Pas një pune dymujore, hetuesit nga Njësiti i Hetimeve të Përgjithshme të rajonit të Prishtinës, sot kanë arrestuar dy persona të dyshuar për veprën penale të mashtrimit, të raportuar më datë 17.08.2022.

Në raportin policor thuhet se personat e dyshuar F.C., i gjinisë mashkullore, 33-vjeç si dhe L.Rr., e gjinisë femërore, 21-vjeçe, dyshohen se kenë marrë nga ankuesi shuma të ndryshme parash për investim në kriptovaluta (vlera e përafërt arrin deri në 500,000 euro) duke i premtuar përfitime të mëdha.

Sipas Policisë, me aktvendim mbi ndalimin e personit të dyshuar të nxjerrë nga ana e prokurorit të shtetit, janë dërguar në qendrën e mbajtjes për 48 orë.

Për më shumë, dyshohet që mashtrimi mund të ketë ndodhur në vazhdimësi për një periudhë  të gjatë kohore  dhe dyshohet se numri i personave të mashtruar nga personat e dyshuar mund të jetë më i madh sesa numri i raportuar.

Policia ka kërkuar nga qytetarët që mund të kenë qenë viktimë e rasteve të tilla të lajmërohen në stacionin më të afërt policor, ashtu që me informacionet e tyre të kontribuojnë në hetimin që po kryen Policia.