Ilustrim

Prishtinë, 2 të arrestuar, dyshohet se morën para në emër të zyrtarëve të një ministrie për futjen e dy aplikuesve në listën për grant

Policia e Kosovës ka njoftuar se sot janë arrestuar dy persona të dyshuar për kryerje të veprës penale – ushtrim i ndikimit, pasi dyshohet se kishin marrë para në emër të zyrtarëve të një ministrie dhe kishin premtuar se do të ushtrojnë ndikimin për futjen e dy aplikuesve për grante në listën e përfituesve në këtë ministri.

“Policia e Kosovës, Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit- Sektori i Hetimeve të Korrupsionit në koordinim me Prokurorinë Speciale të Republikës se Kosovës, me datë 16.01.2023, ka zbatuar urdhëresën e Gjykatës Themelore në Prishtinë, nën dyshimin e kryerjes së veprës penale”Ushtrim i ndikimit” neni 424 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës, me ç ‘rast dy persona të dyshuar janë arrestuar” -është thënë në njoftim.

“Dyshohet se të njëjtit kanë pranuar një shumë të parave në emër të zyrtarëve të një ministrie të RKS-së, me premtimin se do të ushtrojnë ndikimin për futjen e dy aplikuesve për grante në listën e përfituesve në atë ministri” – është bërë e ditur në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Gjithashtu, Policia ka njoftuar se lidhur me rastin dy personat e dyshuar janë arrestuar në flagrancë, përderisa të gjitha veprimet tjera do të ndërmerren me autorizimin e prokurorit kompetent.